Aktualitet

Dëmtohet rruga e re në Kukës! Çahet asfalti i inauguruar dy muaj më parë!

Rruga që lidh Liqenin e Kallabakut me fshatin Novosej në Kukës, e ndërtuar vetëm dy muaj më parë me financim të qeverisë shqiptare dhe Bashkisë Kukës, ka pësuar dëmtime serioze.

Bëhet fjalë për segmentin 3.8 kilometra të rrugës së re, e cila është asfaltuar në fund të muajit shtator. Vetëm pak javë pas ndërtimit, në këtë aks janë vërejtur plasaritje të asfaltit, çarje përgjatë trasesë dhe lëvizje të skajeve anësore të rrugës.

LEXO EDHE: Bie masivi shkëmbor, bllokohet aksi i ri Qukës-Qafë Plloçë/ Kalimi devijohet! (Video)

Rruga është financuar nga projekti “Rrugët e Bardha”, një iniciativë e Fondit Shqiptar të Zhvillimit, që synon përmirësimin e infrastrukturës në zonat rurale malore dhe rritjen e aksesit në destinacionet turistike të veriut.

Ky aks konsiderohet i rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në Kukës, pasi ofron lidhje me një nga atraksionet më të kërkuara të zonës Liqenin e Kallabakut si dhe me Shtegun e Ngjyrave, një nga shëtitjet malore më të vizituara.

LEXO EDHE: MM: 520 ha tokë bujqësore të përmbytura në Mamurras e Lezhë/25 banesa me prani uji në Fier!

Për momentin, banorët presin reagimin e institucioneve, ndërsa rruga e re vijon të dëmtohet dita-ditës.