Aktualitet

GJKKO-ja lë në burg ish-gjyqtaren e Elbasanit, Pajtime Fetahu!

GJKKO-ja rrëzoi kërkesën e ish-gjyqtares së Elbasanit, Pajtime Fetahu për ndryshimin e masës së sigurisë “Arrest në burg” ndërsa SPAK-u e akuzon për lidhje me dy organizata kriminale të vëllezërve Çopja e të Suel Çelës. Fetahu kërkonte ndryshimin e masës për arsye shëndetësore. Lidhur me verifikimin e pretendimeve të saj, gjykata caktoi dy ekspertë të mjekësisë ligjore për të vlerësuar nëse qëndrimi në qeli i rrezikonte jetën.

Në qelinë e paraburgimit, Fetahu mbahet prej nëntorit 2024, në kuadër të një urdhër-arresti që u lëshua nga SPAK-u mbi hetimet për Suel Çelën dhe anëtarët e grupit të tij në Elbasan, të cilët akuzohet se i ka favorizuar dhe se ka pasur komunikime, të zbuluara nga përgjimet në SKY ECC.

Ish-gjyqtarja u arrestua në korrik të vitit të kaluar, por iu caktua “Arrest në shtëpi”. Më pas, emri i doli sërish në operacionin “Plumbi i Artë 2” për grupet kriminale, ku u lëshuan mbi 30 urdhër-arreste. Dyshohet se Pajtime Fetahu mund të ketë lidhje me historitë e vëllezërve Franc e Hajdar Çopja. Sipas njoftimit të SPAK-ut, iu dha informacione sekrete.

Dyshohet se mori 11 mijë euro, një monedhë floriri e priste edhe një aparat celular nga anëtarë të grupit kriminal “Çopja”. Akuzohet për korrupsion ndërsa dha dorëheqjen nga sistemi i drejtësisë më 16 nëntor 2022, vetëm pak ditë para se t’i nënshtrohej procesit të Vetting-ut. Nga grupi i vëllezërve Franc e Hajdar Çopja, Fetahu si “Komshija”. U kontaktua për të dëmtuar Erion Alibejn e favorizuar anëtarët e grupit rival.

Njoftimi nga gjykata: 

1. Kërkuesi Pajtime Fetah me datë 27.01.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën me objekt: “Zëvendësimi i masës së sigurimit, urdhëruar me vendimin nr. 138 datë 22.11.2025 dhe nr. 146 datë 27.11.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”.

2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtari Erjon Çela, bazuar në nenet 112, 230/2, 238 dhe 260/2 të K.Pr.Penale, me vendimin Nr. 89, datë 01.04.2025, vendosi:

1. Rrëzimin e kërkesës së kërkueses (personit nën hetim) Pajtime Fetah. 2. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim, në Gjykatën e Posaçme të Apelit Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, brenda 5 ditëve, afat i cili fillon nga dita e njoftimit të vendimit të gjykatës.