Në një kohë kur në Shqipëri hapen me dhjetëra portale të reja çdo vit, të krijosh një media online nuk duket ideja më gjeniale. Pikërisht për këtë Genta Hodo, gazetare dhe folëse e Top Albania Radios, vendosi ta ruajë identitetin prej blogu të “Përgjumësh”.
“Përgjumësh” është media më e re online, por ndryshe nga të tjerat ky blog do të jetë i fokusuar tek përmbajtja origjinale, me editoriale argumentuese në lidhje me çdo fenomen të rëndësishëm të momentit dhe intervista të një karakteri të veçantë me personazhe të njohur apo frymëzues.
Pjesë e “Përgjumësh” është edhe një blog për përditshmërinë e çiftit të artistëve Hersi Matmuja dhe Jacopo Conoci, një blog prindërimi nga poetja Irda Haruni dhe si asnjë portal tjetër, “Përgjumësh” ka një rubrikë krejtësisht dedikuar feminizmit dhe të gjitha kauzave që kanë të bëjnë me barazinë, nga psikologia Rezi Matmuja.
Përgjumësh sjell një frymë të re mes mediave online, duke rikthyer vëmendjen drejt shkrimeve origjinale dhe personazheve që vlejnë me të vërtetë të përmenden.