E ftuar në emisionin “Pardon My French” ka qenë artistja e mirënjohur Rozana Radi së bashku me mbesën e saj Nicole. Së bashku të dyja artistet kanë rrëfyer detaje në lidhje me projektet, muzikën dhe jo vetëm kaq…
Artistja ka zbuluar surprizën që fshihet pas EP-së së saj më të re, e cila mban titullin “A I S H A”. Projekti përbëhet nga tre këngë, që artistja i përshkruan si tre rrahje zemre, duke e kthyer këtë material në një rrëfim të ndjerë dhe intim.
Mua më mungon të qenurit Rozana, vetë. Çfarë ndodh me muzikën? Ti duhet t’i përshtatesh pak edhe me ngjyrat që do publiku. Po shohim që publiku kërkon më tepër afro-house, po kalon edhe tek rap që dëgjon rinia shumë. Ti duhet t’i prekësh të gjitha moshat, adoleshentët…por ndërkohë nuk duhet që t’i ikësh identitetit tënd. Mua më pëlqen kitara, do të doja të bëja diçka më shpirtërore, më të ndjeshme që të kishte poezi. Mua poezia nuk më ka munguar ndonjëherë. Thashë që pse mos ta bëj këtë album me tre këngë ku unë shpreh disa ndjenja të miat ose disa pakënaqësi të miat në një lidhje qoftë e imja ose e shpikur dhe e fantazuar aty brenda, të sjellura në një mënyrë pak më artistike.