Kandidati i Partisë Social-Demokrate për president të Rumanisë, Marcel Ciolacu, po kryeson me 25% të votave në raundin e parë të zgjedhjeve të mbajtura një ditë më parë, sipas sondazheve publike. Megjithatë, Ciolacu, aktualisht kryeministër i vendit, duket se do të vazhdojë garën në raundin e dytë dhe ka mundësi që rivale të ketë Elena Lasconin nga Unioni për Ruajtjen e Rumanisë, parti e qendrës së djathtë.
Pas mbylljes së qendrave të votimit, kompanitë e sondazheve e kanë renditur Ciolacun të parin me 25% e Lasconin në vendin e dytë, me 18%. Kandidati i pavarur Caiin Georgescu dhe George Simion, drejtues i të djathtës ekstreme, duket se kanë fituar diku mes 14-16% të votave.
Në garën për president ishin 13 kandidatë. Nëse asnjëri prej emrave nuk fitonte mbi 50% të votave, zhvillohet balotazhi i 8 dhjetorit mes dy të parëve. Vazhdimisht, Ciolacu ka qenë në krye të garës, edhe në sondazhet paraprake, për të zëvendësuar presidentin aktual të qendrës së djathtë, Klaus Iohannis, i cili përfundon mandatin e dytë e po ashtu një dekadë në pushtet.
Zyrtarët zgjedhorë njoftuan zyrtarisht se dalja në zgjedhje ishte 52.4% e që do të thotë se rreth 9 milion shtetas rumunë me të drejtë vote, kanë votuar. Radhë të gjata u raportuan në qendrat e votimit në kryeqytetin rumun, Bukuresht, pak para mbylljes së vendvotimeve.
Lasconi ishte kandidatja e vetme për postin e presidentes, e cila doli kundër idesë që Ukraina t’i japë tokë Rusisë kur të diskutohet për paqe. Kjo me arsyetimin se një hap i tillë vetëm sa do ta fuqizojë presidentin rus, Vladimir Putin.
Nëse Ukraina dorëzon territor, Putin nuk do të ndalet, u shpreh kandidatja Lascon. Ne duhet ta ndihmojmë Ukrainën që të fitojë këtë luftë.