Aktualitet Politikë

Zgjedhjet e 14 Majit, a do të regjistrohet Meta në një koalicion me Berishën?

Sot në një dalje për mediat, kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta konfirmoi koalicionin me Sali Berishën, i cili rrezikon të mbetet jashtë zgjedhjeve vendore të 14 Majit. Në vendimin e sotëm, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, KQZ njohu e do të regjistrojë zyrtarisht Partinë Demokratike me kryetar Lulzim Bashën. Kjo pasi sipas ligjit, ai ende figuron kryetar i PD-së. Meta u shpreh se përmes opozitës së bashkuar “do të çrrënjoset monizmi” në zgjedhjet e 14 Majit.

Besoj se të gjithë e dinë dhe e mbajnë mend se ne kemi hedhur një firmë. Kemi bërë një ceremoni ku jemi angazhuar solemnisht për të çrrënjosur monizmin përmes fitores së opozitës së bashkuar në zgjedhjet e  14 Majit dhe kthimin e këshillave bashkiakë në tribuna, ku grupet e interesit do të vijnë e do të denoncojnë padrejtësitë.

Më tej, Meta vuri në dukje se “pas fitores së opozitës së bashkuar, hapi i dytë do të jetë hartimi i një ligji që do të garantojë ushtrimin e së drejtës së referendumit”. Sipas tij, “kjo do t’i jepte fund pengmarrjes së shtetit”.

Ndërkaq, i pyetur nëse në takimin që dje zhvilloi me ambasadoren amerikane, Yuri Kim u ushtrua presion mbi koalicionin me Berishën, në një kohë që ky i fundit është shpallur “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Meta mohoi çdo pikëpyetje lidhur me këtë çështje. Ai sqaroi se SHBA-të janë të interesuara për një opozitë të fuqishme dhe sistem funksional llogaridhënieje.

Marrëdhëniet e mia me SHBA-të janë të hapura dhe parimore. Nuk kam asnjë qëllim të ndikoj në vendimet e tyre, që janë përgjegjësi e tyre. Mora vendimet e mia, bazuar mbi parimet demokratike të Kushtetutës. Dhe vetë Kushtetuta na frymëzon, ajo amerikane. Asnjë lloj presioni, përkundrazi, kemi patur një bisedë tepër konstruktive. Shtetet e Bashkuara janë të interesuara për një opozitë sa më të fuqishme, që të funksionojë sistemi i llogaridhënies.