Një zjarr ra në një pallat shumëkatësh në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, pranë spitalit të Lushnjës, duke shkaktuar panik te banorët e zonës.
Fillimisht, flakët u konstatuan nga vetë banorët, që pasi panë tymin, njoftuan menjëherë shërbimin zjarrfikës. Falë ndërhyrjes së shpejtë të zjarrfikësve, zjarri u izolua në një apartament në katin e tretë, duke shmangur përhapjen në banesat e tjera të pallatit.
Në vendngjarje shkoi edhe policia, që nisi hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Sipas të dhënave paraprake, dyshohet se zjarri është vendosur qëllimisht nga pronari i banesës, një 40-vjeçar, i cili më pas është larguar nga vendi i ngjarjes. Burime nga policia bëjnë me dije se ai mund të ketë probleme të shëndetit mendor.
Aktualisht, autoritetet janë në kërkim të 40-vjeçarit, ndërsa vijon puna për dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe përcaktimin e saktë të shkaqeve të flakëve.