Aktualitet

Me armë, mina, dinamit e detonatorë, dy në pranga në Tiranë!

Armë, kapsolla detonatore, dinamit, mina të lidhura me aparate celularë që do t’iu shiteshin grupeve kriminale u kapën dhe sekuestruan nga blutë e kryeqytetit, që vunë në pranga dy persona, njëri prej tyre në kërkim, në kuadër të operacionit “Tempulli 2”. Bashkë me 45-vjeçarin u arrestua në flagrancë një 44-vjeçar.

Njoftimi i policisë: 

U kap një shtetas i shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Tempulli 2”;

U godit një rast i mbajtjes pa leje të armëve;

U godit një rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike;

U godit një rast i mbajtjes së minave me telekomandë, të cilat dyshohet se do të shiteshin te grupet kriminale.

Sekuestrohen 5 armë (një armë zjarri kallashnikov, 4 armë gjahu), 6 kapdolla detonatore me kohe vonese, 3 pako me lëndën të dyshuar plasëse dinamit, 3 mina të lidhura me mekanizma me aparate celulare, 3 aparate celulare, sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 1 kg kanabis, krëhra pistolete dhe municion luftarak.

Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre i shpallur në kërkim më parë në kuadër të operacionit “Tempulli 2”, dhe po punohet për arrestimin e një shtetasi tjetër.

Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, të siguruara në vijim të megaoperacioneve “Tempulli 2”, dhe “Sundimi i ligjit”, për një shtetas në kërkim dhe një tjetër që posedonte armë zjarri dhe sende të kundraligjshme, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “All in”.

Si rezultat i operacionit u ndalua shtetasi Ervin Turtulli, 45 vjeç, i shpallur në kërkim më parë në kuadër të operacionit “Tempulli 2” dhe u arrestua në flagrancë shtetasi Elorjan Tanka, 44 vjeç, të dy banues në Tiranë.

Gjatë kontrollit fizik dhe të banesës së 45-vjeçarit, shërbimet e Policisë, i gjetën dhe sekuestruan 5 armë (një armë zjarri kallashnikov, 4 armë gjahu), sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, 1 kg kanabis, krëhra pistolete dhe municion luftarak.

▫️Gjithashtu, në kuadër të operacionit “All in”, Shërbimet e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, si rezultat i administrimit të shpejtë të informacioneve nga inteligjenca policore, kanë ushtruar kontroll në një garazh në rrugën “Besim Alla”. Gjatë kontrollit kanë gjetur dhe sekuestruar, në cilësinë e provës materiale, 6 kapsolla detonatore me kohe vonese, 3 pako me lëndëntë dyshuar plasëse dinamit, 3 mina të lidhura me mekanizma me aparate celulare, 3 aparate celulare.

Në lidhje me këtë rast u shpall në kërkim shtetasi A. M., dhe nga verifikimet e kryera dyshohet se ky shtetas do t’i shiste minat te grupe kriminale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.