Aktualitet Politikë

Vendoret e 14 Majit, sot shqyrtohet regjistrimi i koalicionit “Bashkë Fitojmë”!

Zgjedhjet vendore të 14 Majit, sot pritet që Komisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve të shqyrtojë kërkesën e koalicionit të drejtuar nga Partia Demokratike e Sali Berishës për t’u regjistruar në votimet lokale të pas dy muajve.

Seanca publike për të shqyrtuar koalicionin “Bashkë Fitojmë” do të mbahet në orën 11:00. Po ashtu, në këtë koalicion bëjnë pjesë Partia e Lirisë e drejtuar nga Ilir Meta, Partia Demokristiane me kryetar Nard Ndokën, si dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut nën drejtimin e Vangjel Dules.

Sa i përket rendit të ditës, ndër të tjera do të merret në shqyrtim edhe kërkesa e koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë”, “për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Gjithashtu do të shqyrtohet rezultati i verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues z.Rodolf Llambi Xhillari, anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë.

Po ashtu, pritet të merret në shqyrtim vendimi “për caktimin e numrit të kandidatëve në listat shumëemërore të paraqitura nga subjektet zgjedhore për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

Rendi i ditës:

1. “Për shqyrtimin e kërkesës së Koalicionit “Aleanca Liberale e Djathtë”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

2. “Për shqyrtimin e kërkesës së Koalicionit “Bashkë Fitojmë”, për regjistrimin si subjekt zgjedhor në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.

3. “Për zbatimin e vendimit nr.27, datë 16.3.2023, të Komisionit të Ankimimeve dhe Sanksioneve”.

4. “Për shqyrtimin e rezultatit të verifikimit të Prokurorit të Përgjithshëm, për subjektin vetëdeklarues z. Rodolf Llambi Xhillari, anëtar në Këshillin e Bashkisë Tiranë”.

5. Projektvendim “Për një ndryshim në vendimin nr. 100, datë 8.3.2023, “Për caktimin e numrit të kandidatëve në listat shumemerore të paraqitura nga subjektet zgjedhore për çdo zonë zgjedhore për zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore të datës 14 maj 2023”.