Bota

Amerika ndan fonde për sigurinë në sinagoga e xhami!

Një shumë prej 400 milion dollarësh u shtua në fondet federale të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me qëllim rritjen e sigurisë në lokacionet fetare. Këtë e bëri të ditur lideri i shumicës demokrate në Senat, Chuck Schumer.

Shqetësimet për kërcënimet kundër komuniteteve hebraike dhe myslimane janë në rritje në Amerikë e kjo pjesërisht për shkak të luftës mes Izraelit dhe Hamasit, grupit radikal palestinez të shpallur “terrorist” nga Amerika dhe disa vende të tjera.

Forcat e Mbrojtjes së Izraelit po evakuojnë qytetin Rafah në jug të Rripit të Gazës, para nisjes së operacionit të pritshëm ushtarak. Banorëve të pjesës lindore të qytetit në kufi me Egjiptin, ushtria izraelite iu bëri thirrje të lëvizin në kampin “al-Mauasi” në Mesdhe, disa kilometra në veri. Ata u informuan me mesazhe me tekst, telefon, fletëpalosje e përmes mediave në arabisht.

Izraeli dëshiron të përdorë operacionin ushtarak në Rafah për të shkatërruar batalionet e mbetura të Hamasit, që i ka luftuar në brezin bregdetar nga tetori i kaluar. Ndërkaq, edhe negociatat e radhës Izrael-Hamas të fundjavës në Kajro të Egjiptit, nuk dhanë rezultat. Sërish nuk pati dakordësi mbi një armëpushim të ri e për lirimin e pengjeve në këmbim të të burgosurve palestinezë.

Objektet e kultit fetar të tilla si sinagogat e xhamitë mund të aplikojnë për t’i përdorur paratë për të punësuar personel sigurie ose për të instaluar kamera, siç njoftoi Schumer, i cili u shpreh:

Ne do të vazhdojmë të ndajmë fonde, në mënyrë që asnjë sinagogë apo institucion tjetër fetar të mos ketë nevojë të jetojë me frikën me të cilën jeton tani.

Vitin e kaluar u ndanë 305 milion dollarë për organizatat jofitimprurëse, për t’i ndihmuar ato në mbrojtjen e objekteve të tyre nga sulmet e mundshme. Tri sinagoga të qytetit të Nju Jorkut dhe Muzeu i Bruklinit morën kërcënime për bomba të shtunën e kaluar, raportoi një zëdhënës i Departamentit të Policisë në Nju Jork.

Kërcënimet bënë që dy sinagoga të evakuoheshin, edhe pse nuk u gjet ndonjë sasi eksplozivi e alarmi rezultoi fals në fund. Ndërkaq, organizatat fetare do të duhet të aplikojnë deri më 21 maj për të shfrytëzuar këstin e parë të fondeve.