Sport

Euro 2024/ Sonte Itali-Shqipëri!

Kombëtarja Shqiptare e Futbollit është gati për debutimin në Kampionatin Europian “Gjermani 2024”. Një ditë më parë, kuqezinjtë zhvilluan seancën zyrtare stërvitore në stadiumin e Dortmundit, duke mbyllur kështu edhe përgatitjet për duelin e parë ndaj Italisë, sonte në orën 21:00.

Nën drejtimin e trajnerit Sylvinjo dhe stafit teknik u stërvitën për më shumë se një orë në stadiumin e ndeshjes, duke provuar vendosje taktike dhe situata të ndryshme loje.

Forma e lojtarëve është e mirë dhe deri më tani nuk ka probleme fizike për asnjërin me atmosferën që është shumë pozitive dhe të gjithë të gatshëm për të dhënë kontributin për takimin ndaj Italisë.

Po ashtu e filloi mbarë Gjermania vendase, që dje mundi pastër Skocinë me rezultatin 5-1, në ndeshjen hapëse të Euro 2024-ës, në Grupin A.

Të besuarit e Julian Nagelsmann shënuan tre herë në pjesën e parë me Uirtz, Musiala dhe penalltinë e Havertz. Në fraksionin e dytë Fullkrug e Can bënë dy gola të tjerë. Skocezët mbetën me dhjetë lojtarë pas daljes me karton të kuq të Porteous, teksa në fund shënuan golin e ‘flamurit’ me autogolin e Rudigerit.

Tashmë që e nisi me këmbën e mbarë aventurën e shtëpisë dhe me tri pikë, Gjermania kryeson Grupin A e sot në orën 15:00 pret takimin mes Hungarisë dhe Zvicrës, rivalët e këtij grupi.

Ndërkohë, po sot, përveçse në orën 21:00 kur vëmendja të jetë në Dortmund pasi për Grupin B të Euro 2024-ës Kombëtarja Shqiptare e Futbollit luan kundër Italisë, Spanja dhe Kroacia duelojnë po për këtë grup, në orën 18:00.