Bota

Izraeli: Me Guterresin, OKB-ja është antisemite!

Lufta në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Hamasit hyri në ditën e 170-të. Izraeli reagoi pasi një ditë më parë, sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, foli gjatë një vizite në Rafah dhe përsëriti thirrjen për një armëpushim të shpejtë në Gaza.

Po ashtu theksoi nevojën që kamionët me ndihma humanitare, të grumbulluara në anën egjiptiane të lejohen me shpejtësi të hyjnë në Gaza. Por, Izraeli e sulmoi zyrtarin e lartë:

Me të (Guterresin), Organizata e Kombeve të Bashkuara, OKB është antisemite dhe anti-izraelite.

Ndërkaq, mediat izraelire raportojnë për optimizëm të kujdesshëm, pas ditës së parë të kontakteve në Katar për lirimin e pengjeve izraelite në Gaza. Kjo në këmbim të armëpushimit dhe lirimit të të burgosurve të Hamasit.

Bllokimi i dhjetëra kamionëve me ndihma në anën egjiptiane të kufirit me Rripin e Gazës, ku njerëzit përballen me uri, përbën fyerje morale. Qëndrimin e shprehu shefi i OKB-së, Antonio Guterres, dje gjatë një vizite në pikëkalimin e Rafahut.

Sipas numrit një të OKB-së, “Izraeli duhet të zotohet për zhbllokimin e ndihmave në Gaza”, si dhe bëri thirrje për armëpushim të menjëhershëm e lirim të pengjeve izraelite nga Hamasi palestinez.

Duke folur për gazetarët në portin Al Arish, ai vuri në dukje se faktori ndërkombëtar ndan qartësisht të njëjtin qëndrim se çdo sulm tokësor në qytetin verior të Gazës, Rafah, nuk ka dyshim se do të shkaktonte një katasfrofë humanitare.

Izraeli ka kërcënuar se do të ndërmarrë një operacion të gjerë ushtarak në qytetin jugor të Gazës, Rafah, në kufi me Egjiptin, pavarësisht thirrjeve ndërkombëtare që e kanë kundërshtuar një ofensivë të tillë. Në Rafah ndodhet një numër i lartë palestinezësh që janë zhvendosur atje për t’u shpëtuar sulmeve në zona të tjera të Gazës.

Sekretari Guterres vizitoi qytetin Al Arish në veri të rajonit Sinai në Egjipt, ku është dërguar dhe grumbulluar pjesa më e madhe e ndihmave ndërkombëtare. Ai vizitoi edhe anën egjiptiane të kufirit në qytetin Rafah, një nga pikat hyrëse të ndihmave.

Ndërsa shpresat për armëpushim gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit janë zbehur dhe gjendja humanitare në Gazë është përkeqësuar, Kombet e Bashkuara dhe vende të tjera kanë dërguar ndihma humanitare me anije ose duke lëshuar paketa ushqimore nga ajri.

Por, agjencitë humanitare thonë se vetëm 1/5 e ndihmave të nevojshme po hyn në Gaza dhe se mënyra e vetme për të plotësuar nevojat në rajonin bregdetar është përshpejtimi i dërgimit të ndihmave në rrugë tokësore.