Botë e Çuditshme Tech Travel

Ja çfarë ndodh nëse avionët zëvendësohen me trenat…

Prej kohësh, njerëzit po kërkojnë alternativa ekologjike për të udhëtuar, ndaj së fundmi, shumë vende në Europë po tentojnë të zëvendësojnë transportin ajror me atë hekurudhor. Disa kompani ajrore po bashkëpunojnë me linja të ndryshme trenash për të kryer rrugë të caktuara, ndërsa vende si Austria dhe Franca po kërkojnë të kufizojnë linjat e brendshme ajrore. Në realitet, e gjitha mbetet një ëndërr e largët, pasi do të duhet kohë derisa investimet të përfundojnë.

Që kjo ide të zbatohet, BE-ja këmbëngul se zëvendësimi i rrugëve ajrore duhet të bëhet me linja hekurudhore me shpejtësi të lartë, në mënyrë që udhëtimi midis dy qyteteve të largëta të kryhet në më pak se dy orë e gjysmë. Shumë vende, gjithsesi, ia kanë dalë të ndalojnë me ligj fluturimet me distancë të shkurtër, brenda vendit. Në vitin 2020, qeveria austriake detyroi transportuesin kombëtar, Austrian Airlines, të anulonte të gjitha fluturimet që mund të kryheshin lehtësisht me tren.

Po atë vit, qeveria vendosi gjithashtu një taksë prej 30 eurosh për të gjitha fluturimet nën 350 kilometra që nisen nga aeroportet austriake. Sipas një raporti të vitit 2022 nga Shoqata Rajonale Evropiane e Linjave Ajrore, nëse i gjithë trafiku i linjave ajrore nën 500 kilometra kalon në një formë tjetër të transportit publik, atëherë do të kishim një reduktim deri në 5% të emetimeve të karbonit.