Bota

Lufta ruse në Ukrainë, mbi 600 fëmijë të vrarë!

Më shumë se 600 fëmijë janë vrarë dhe 1 mijë e 420 janë plagosur në Ukrainë që nga fillimi i pushtimit rus në shkurt të vitit 2022. Këtë e njoftoi koordinatorja humanitare e Kombeve të Bashkuara për vendin, Denise Brown, duke cituar të dhënat nga Zyra e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Njeriut.

Shifra e re e organizatës, e shpallur dje, rezulton më e lartë se ajo e deklaruar mëngjesin e sotëm nga Prokuroria e Përgjithshme e Ukrainës, sipas së cilës 550 fëmijë kanë gjetur vdekjen që nga shkurti i vitit 2022 dhe 1 mijë e 364 të tjerë janë plagosur.

Vala më e fundit e sulmeve ruse në rajonin e Kharkivit nxjerr në pah koston e tmerrshme të luftës dhe tmerret me të cilat po përballen fëmijët ukrainas, shtoi Brown. Shumë janë vrarë ose janë plagosur dhe mijëra u detyruan të largohen nga shtëpitë e tyre pa gjë, përveç rrobave në shpinë e stresit të thellë të dëshmisë së një situate vërtet të tmerrshme.

Që nga fillimi i luftës, fëmijët ukrainas kanë kaluar rreth 3 000-5 000 orë (ekuivalente me katër deri në shtatë muaj) në vendstrehimet nga sulmet ajrore dhe kjo iu ka shkaktuar stres e ua ka bërë jetën jashtëzakonisht të vështirë.

Sipas Kombeve të Bashkuara, armiqësitë në Ukrainë vazhdojnë të shkaktojnë “dëm të madh fizik, psikologjik dhe emocional te fëmijët, duke prishur jetën e tyre dhe duke iu kompromentuar të ardhmen”.

Për më tepër, lufta ndikoi seriozisht sistemin arsimor në Ukrainë. Shkatërrimi i vazhdueshëm i ndërtesave shkollore në shumë zona të vendit po detyron shumë shkolla të miratojnë mësime online.

Në vitin aktual shkollor, pothuajse një milion fëmijë, një e katërta e të gjithë fëmijëve ukrainas që ndjekin shkollën, nuk ishin në gjendje të ndiqnin mësimet në klasë.

Paralajmërimet e shpeshta të sulmeve ajrore dhe ndërprerjet e energjisë elektrike kanë ndërprerë më tej arsimimin e tyre duke çuar në humbje të konsiderueshme të mësimit dhe pasoja afatgjata për zhvillimin e fëmijëve ukrainas.