Rajoni

Marrëveshja e burgjeve me Danimarkën, qeveria miraton të njëjtin draft në Kosovë!

Qeveria e Kosovës njoftoi se miratoi të njëjtin draft për ratifikimin e një Traktati të arritur me Danimarkën lidhur me strehimin në burgjet kosovare të të burgosurve nga Danimarka. Kjo u vendos disa ditë pas dështimit të Kuvendit për ta ratifikuar.

Çështja kryesore e trajtuar në këtë projektligj është ratifikimi i Traktatit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Mbretërisë së Danimarkës për shfrytëzimin e Institucionit Korrektues në Gjilan me qëllim të ekzekutimit të dënimeve daneze.

Blerim Sallahu, zv.ministër i Drejtësisë i Kosovës i konfirmoi Radios Evropa e Lirë se është i njëjti draft që parlamenti dështoi ta miratojë të enjten e kaluar.

Po, ne kemi negociuar me danezët dhe jemi pajtuar që të shkojë i njëjti draft në Qeveri dhe në Kuvend.

Pas dështimit në Kuvend, projektligji duhej të kthehej në qeveri për t’u nisur nga pika zero, sipas rregullores. Letër-pëlqimin për dërgimin e 300 të burgosurve nga shteti danez në Kosovë, palët e nënshkruan në dhjetor 2021. Në prill 2022, dokumenti u shndërrua në Traktat, sipas së cilit, transferimi i të burgosurve duhej të bëhej në fillim të vitit 2023.

Por, Kuvendi dështoi ta kalojë Traktatin të enjten, pasi mori vetëm 75 nga 80 votat e nevojshme të deputetëve. Qeveria duhet ta dërgojë në Kuvend, në një përpjekje të dytë për ratifikim edhe pse për të nuk ka pasur mbështetje nga një pjesë e opozitës.

Me ligjin në Kosovë, marrëveshjet ndërkombëtare mund të ratifikohen vetëm me votat e dy të tretave të deputetëve. Traktati ka kohëzgjatje prej 10 vjetësh. Danimarka duhet të marrë në shfrytëzim qeli, të veçuara e të përbashkëta në burgun e Gjilanit, në pjesën lindore të Kosovës.

Në këmbim, Kosova do të fitojë mbi 200 milion euro. 30 milion nga shuma planifikohen të shkojnë për energjinë e rinovueshme ndërsa pjesa tjetër, për investime në Shërbimin Korrektues të Kosovës. Me hyrjen në fuqi të marrëveshjes, Danimarka do t’i dorëzojë Kosovës një tarifë fillestare prej pesë milion eurosh. Pagesa do të bëhet në norma tremujore, gjatë 12 muajve të parë të shfrytëzimit të burgut sipas numrit të të burgosurve që objekti mund të strehojë.

Referuar Traktatit, Danimarka nuk do të dërgojë të burgosur të dënuar për vepra terroriste, të burgosur të dënuar për krime të luftës dhe të burgosur të diagnostikuar me çrregullime të rënda mendore e që  kanë nevojë për kujdes mjekësor jashtë burgut.

Drejtuesit dhe gardianët në burgun e Gjilanit do të jenë nga shteti i Danimarkës dhe Shërbimi Korrektues i Kosovës. Autoritetet daneze kanë thënë se kapacitetet e burgjeve të tyre janë mbushur 100%, pasi numri i të burgosurve është rritur me gati 20% nga viti 2015.