Bota

Stratosfera e Tokës, shkencëtarët ngrenë alarmin!

Një studim i ri ngre alarmin se stratosfera e planetit tonë po ndotet gjithnjë e më shumë. Raporti më i fundit vë theksin te djegia e sateliteve dhe raketave që hidhen në hapësirë. Në të thuhet se metali në stratosferë zë 10% të sipërfaqes. Shkencëtarët thonë se për momentin, kjo nuk ka gjasa të ndikojë jetën në Tokë. Por sipas vlerësimeve të tyre, shifra mund të arrijë në 50% në dekadat e ardhshme, por thonë se pasojat e kësaj dukurie janë ende të paqarta.

Ndërkaq, rikujtojmë se shkencëtarët kanë gjetur ekzistencën e mikroplastikës edhe në re, duke argumentuar se ato mund të ndikojnë në formimin e tyre dhe klimat lokale në mbarë botën. Në hulumtimin e botuar në revistën “Environmental Chemistry Letters”, shkencëtarët japonezë u ngjitën në malin Fuji dhe malin Oyama për të mbledhur mostra uji nga mjegulla që mbulon majat dhe më pas aplikuan teknika të avancuara imazherie në mostrat për të përcaktuar vetitë fizike dhe kimike të tyre.

Ekipi hulumtues identifikoi nëntë lloje të ndryshme polimerësh dhe një lloj gome në mikroplastikën e ajrit, të cilat varionin në madhësi nga 7.1 në 94.6 mikrometra. Çdo litër uji i testuar përmbante midis 6.7 dhe 13.9 copë plastike. “Nëse ‘ndotja plastike e ajrit’ nuk trajtohet, ndryshimet klimatike dhe rreziqet ekologjike mund të bëhen realitet, duke shkaktuar dëme të pakthyeshme dhe serioze mjedisore në të ardhmen. Kur mikroplastikat arrijnë në atmosferën e sipërme dhe ekspozohen ndaj rrezatimit ultravjollcë nga rrezet e diellit, ato degradohen, duke kontribuar në gazrat serrë”-paralajmëron udhëheqësi i kërkimit Hiroshi Okochi nga Universiteti Waseda.