Bota

Tronditje financiare në bankën zvicerane Credit Suisse!

Banka zvicerane Credit Suisse e cila po përballet me probleme financiare do të marrë një hua deri në 50 miliardë franga apo 50.7 miliardë euro) nga Banka Qendrore e Zvicrës. Publikimi i këtij lajmi ndihmoi për qetësimin e tregjeve financiare, që rreth një javë më parë u përballën me mbylljen e Bankës Silicon Valley në Amerikë, e specializuar për financimin e startup-eve. Pas përpjekjes së dështuar për rritjen e kapitalit, u vendos nën kontrollin e shtetit. Në vijim, rregullatorët në SHBA mbyllën edhe një bankë tjetër, Signature Bank nga Nju Jorku.

Për t’u rikthyer në Zvicër, banka zvicerane Vontobel tha se “ndihmën e bankës qendrore e konsideron sinjal të fortë e të rëndësishëm”.

Shpresojmë që masat do të qetësojnë tregjet e do të ndërpresin spiralen negative. Megjithatë, do të duhet kohë derisa besimi te Credit Suisse të rikthehet plotësisht.

Credit Suisse është një ndër 30 bankat e klasifikuara si “shumë të mëdha për të falimentuar”. Falimentimi do të kishte ndikim shkatërrues në ekonominë botërore.

Credit Suisse, banka e dytë më e madhe zvicerane njoftoi se miliardat e huazuara nga Banka Kombëtare Zvicerane (SNB) do të përdoren për të mbështetur biznesin kryesor dhe transformimin në një bankë më të orientuar nga klientët.

Shqetësim në Britaninë e Madhe dhe Gjermani

Sipas njoftimeve të mediave, Banka e Anglisë (BoE) thirri një mbledhje urgjente për shkak të thellimit të krizës në Credit Suisse. “Banka e Anglisë po zhvillon bisedime me partnerët ndërkombëtarë për të zbutur shqetësimet në rritje për bankën e madhe zvicerane”, – njofton gazeta The Telegraph.

Për shkak të krizës së bankës Credit Suisse, edhe qeveria gjermane është duke zhvilluar bisedime intensive me institucionet e kontrollit financiar e bankat në Gjermani. Ministri i Financave, Christian Lindner tha se në shtetin gjerman, gjendja e bankave është e qëndrueshme dhe se në të gjitha nivelet po bëhet kujdes që kjo gjendje të mos ndryshojë.