Bota

Gazi rus, Komisioni Europian me plan emergjence për dimrin!

Në një plan emergjence dimri të prezantuar sot, Komisioni Europian propozoi futjen e objektivave të detyrueshme të kursimit të gazit për të gjitha vendet anëtare të BE-së, nëse furnizimet përkeqësohen në një nivel krize. Në një konferencë për shtyp në Bruksel, presidentja e Komisionit, Ursula von der Leyen deklaroi:

Ne duhet të përgatitemi për një mbyllje të mundshme totale të gazit rus dhe ky është një skenar i mundshëm. Në rast të një emergjence gazi në Bllok, krahu ekzekutiv i BE-së dëshiron të vendosë objektiva, për të detyruar vendet anëtare të Unionit, të kursejnë gazin, nëse masat vullnetare konsiderohen të pamjaftueshme.

Ekzekutivi i BE-së u kërkon shteteve anëtare të reduktojnë vullnetarisht konsumin e tyre të gazit midis 1 gushtit 2022 dhe 31 marsit 2023, me të paktën 15% krahasuar me nivelet mesatare të konsumit gjatë pesë viteve të fundit. Të 27 vendet e BE-së tani do të rishikojnë planin e Komisionit. Për të miratuar propozimin kërkohet një shumicë e cilësuar prej 15 anëtarësh, ose vende të BE-së që përfaqësojnë të paktën 65% të popullsisë së bllokut.

“Një njoftim rus për rrjedhjet e gazit përmes gazsjellësit “Nord Stream 1”, pas përfundimit të punëve rutinë të mirëmbajtjes mund të vijë që sot”, – sipas një zëdhënësi të kompanisë së transportit të gazit “Gascade”.

Ndërprerja e tubacionit më të madh të vetëm që transportonte gazin rus në Gjermani filloi më 11 korrik dhe pritet të përfundojë të enjten.
Zyrtarët e qeverisë dhe të biznesit kanë shprehur frikën se dërgesat nuk do të rifillojnë për shkak të një përplasjeje me Moskën për luftën në Ukrainë.

Presidenti rus, Vladimir Putin theksoi se dërgesat e gazit përmes gazsjellësit “Nord Stream 1” mund të bien nga 60 në 33 milion metra kub në ditë, nëse një turbinë e riparuar nuk dorëzohet shpejt.

Një lëvizje e tillë do të thotë që gazsjellësi po funksionon me rreth një të pestën e kapacitetit të tij total. Kritikët kanë hedhur poshtë vazhdimisht pretendimet e Kremlinit se vonesa në kthimin e turbinës ishte në rrënjë të nevojës për të reduktuar më tej furnizimet me gaz rus në Gjermani, ekonominë më të madhe të Europës.