Bota

BE në kërkim të gazit, shtetet anëtare lidhin kontrata me vendet furnizuese!

Presidenti i Republikës së Azerbajxhanit, Ilham Aliyev dhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nënshkruan të hënën në Baku një memorandum bashkëpunimi për furnizimin me gaz të Evropës.

“BE është këtu për diversifikimin, për t’u larguar nga Rusia dhe për t’u kthyer drejt partnerëve më të besueshëm. Jam e kënaqur që Azerbajxhani është një prej tyre. Ju jeni një partner i tillë për ne dhe keni qenë gjithmonë të besueshëm”, tha von der Leyen.

Ndërkohë, kryeministri italian Mario Draghi ishte në Algjeri, ku finalizoi një marrëveshje për furnizimin me gaz të Italisë.

Që nga fillimi i vitit, Algjeria ka dërguar 14 miliardë metër kub gaz drejt Italisë, sasi të cilëso do t’i shtohen 6 miliardë brenda 2022-shit.

Ndërsa në Paris, presidenti Emmanuel Macron dhe bashkëshortja Brigitte pritën në një takim liderin e Emirateve të Bashkuara Arabe, sheikun Mohamed bin Zayed.

Për ekspertët e fushës, takimet në fjalë tregojnë përpjekjet e Evropës për të kërkuar alternativa ndaj gazit rus.

“Çështja është nëse gazsjellësi ‘Rrjedha e Veriut 1’, që çon gaz drejt Gjermanisë, do të rinisë nga puna. Ai është në proces mirëmbajtjeje nga 11 korriku dhe nëse do të rifillojë funksionin e tij është pyetja e duhur. Deri tani, sinjalet nuk janë pozitive”, u shpreh Anne Sophie Corbeau, studiuese në Columbia University.

Në 2021-shin, Rusia furnizonte rreth 40% të nevojave të Evropës me gaz. Por me mbylljen e ‘Rrjedhës së Veriut 1’, tensionet Perëndim-Moskë po rriten.