“Shqipëria mund të jetë destinacioni tjetër mesdhetar i mrekullueshëm”, sipas shefit të kompanisë më të madhe të pushimeve në Europë TUI. Duke folur për “The Independent”, Sebastian Ebel, i cili prezantohet si një fans i vendit tonë, sheh perspektivë të madhe te Shqipëria, duke mos përjashtuar nisjen e një programi të cilin e përshkroi si “të rëndësishëm”.
Eshtë një vend i mrekullueshëm. Unë jam një adhurues i Shqipërisë dhe mendoj se duhet dhe mund të bëjmë më shumë. Eshtë në axhendën tonë. Mendoj se perspektiva është e madhe dhe nuk do të habitesha nëse fillojmë një program të rëndësishëm atje.
Ebel tha se 10 vjet më parë, kur ai iu bashkua bordit ekzekutiv të TUI-t, pati propozuar mundësinë për të përfshirë Shqipërinë në listën e vendeve më të mira për pushime. Aktualisht, i vetmi aktivitet i TUI-t në Shqipëri është fluturimi dy herë në javë nga dega belge e kompanisë nga Brukseli në kryeqytet, Tiranë.
Linjat ajrore buxhetore tani kanë një program masiv nga Britania e Madhe, me fluturime ditore për në Tiranë. Ndër të tjera, artikulli citon ministren e Turizmit, Mirela Kumbaro, e cila dhjetorin e kaluar deklaroi për “The Independent”:
Ne synojmë një turizëm të nivelit të lartë në Shqipëri.
Nga të gjitha vendet e Europës Lindore, Shqipëria përjetoi periudhën më të gjatë dhe më shtypëse nën regjimin komunist në pjesën e fundit të shekullit të XX. Pothuajse asnjë turist nuk u lejua të vizitonte vendin gjatë diktaturës 40-vjeçare të Enver Hoxhës.
Por, një kompani e vogël në atë kohë, “Regent Holidays”, filloi të sillte vizitorë nga Britania e Madhe në vitet 1970. Ish-drejtori Neil Taylor kujton:
Gjatë viteve 1970 dhe 1980, ne dërgonim rreth 12 grupe në vit atje. Shumëllojshmëria e klientelës ishte thirrja më e madhe. Ndoshta në mënyrë tendencioze, ne reklamuam në “Daily Telegraph” dhe në “Morning Star” për t’u siguruar që njerëzit që normalisht nuk do t’i kishin kushtuar gjithë ditën njëri-tjetrit, papritur duhej të silleshin së bashku në grup për 10 ditë.
Grupi përfshinte të pasur, me një ndjenjë të paqartë se çfarë ishte komunizmi; akademikë që mbanin shënim çdo fjalë që thuhej dhe që blinin çdo botim në anglisht; revolucionarë të egër të vendosur për të gjetur parajsën në Shqipëri.