Bota Botë e Çuditshme

Gjenden disa vepra nën rrënojat e Pompeit!

Disa vepra të mrekullueshme arti janë zbuluar në një sit të ri gërmimi në Pompei, qytetin e lashtë romak që u gropos në hirin e vullkanit të Malit Vezuv në vitin 79 pas Krishtit. Arkeologët thonë se afresket janë ndër më të bukurat që janë gjendur deri më tani në rrënojat e qytetit antik. Figura mitike greke si Helena e Trojës shihen në muret e larta të zeza të një salle të madhe banketesh.

Dyshemeja e mozaikut pothuajse e kompletuar e dhomës përfshin më shumë se një milion pllaka të bardha. Një e treta e qytetit të humbur mbetet ende për t’u pastruar nga mbeturinat vullkanike. Gërmimi aktual, më i madhi që bëhet gjatë këtij brezi, e pozicionon edhe një herë Pompein si dritaren kryesore në botë për njerëzit dhe kulturën e perandorisë romake.

Drejtori i parkut Dr Gabriel Zuchtriegel e prezantoi “dhomën e zezë” ekskluzivisht për BBC. Ka të ngjarë që ngjyra e errët e mureve të ishte zgjedhur për të fshehur depozitat e tymit nga llambat e përdorura gjatë argëtimit pas perëndimit të diellit. Një bllok i gjerë rezidencial dhe tregtar, i njohur si “Rajoni 9”, po pastrohet nga disa metra shtufi dhe hiri i hedhur jashtë nga Vezuvi pothuajse 2000 vjet më parë.

Për afresket që duhet të qëndrojnë në pozicion, një ngjitës suvaje injektohet në pjesën e pasme të tyre për të parandaluar largimin nga muret. Muratura është duke u mbështjellë me skela dhe sipër zonës po vendoset një çati e përkohshme. Ndërkaq, rikujtojmë se një statujë e Herkulit është zbuluar në Romë gjatë punimeve të një kantieri në Parco Scott, në zonën midis Cristoforo Colombo dhe Via Appia Antica.

Për të treguar se statuja e mermerit me përmasa reale i përket Herkulit dëshmon prania e shkopit dhe e lëkurës së luanit që mbulon kokën e tij, tipare tipike të ikonografisë së gjysmëperëndisë. Gërmimet, të cilat arritën në një thellësi prej 20 metrash dhe sipas rregullave në kryeqytetin italian, u kryen me praninë e arkeologëve. Statuja e mermerit me madhësi reale e gjetur në vend raportohet të jetë e Herkulit, një gjysmëperëndi romak i lashtë i njohur si mbrojtësi i të dobtëve.