Gerard Larcher tha se beson se presidenti nuk po arrin të trajtojë çështjet më problematike në vend.
Kreu i senatit ka kritikuar hapur presidentin duke thënë se “nuk e ka idenë e realitetit dhe të shqetësimeve të përditshme të popullatës”.
Në intervistën e tij të publikuar dje nga e përditshmja La Tribune, Gerard Larcher pyetej për ecurinë e Macron që ka tashmë thuajse shtatë vjet në pushtet.
“Është zhgënjyese por kam përshtypjen se ne nuk perceptojmë të njëjtin vend, nuk ndjejmë të njëjtën Francë”, tha politikani duke listuar disa raste që sipas tij “ilustronin sesi Emmanuel Macron mohonte realitetin.”
Ai përmendi rënien e cilësisë së mësimdhënies në shkolla, pas renditjes së studentëve franceze në vend të 26 në kuptimin e shkencës, matematikës e leximit.
“Nuk është vetëm çështje burimesh e parash, por e transmetimit të vlerave, respektit të autoritetit të mësuesit,” tha Larcher duke përmendur më tej shëndetësinë, për të cilën tha se ishte “një shqetësim madhor për francezët prej burokratizimit dhe mungesës së stafit.
Larcher përmendi gjithashtu mungesën e “autoritetit shtetëror,” shtimin e dhunës e trazirave në rrugë.
“Të gjitha këto krijojnë mungesë besimi, nuk po them se qeveria nuk është përpjekur, por më e pakta kjo nuk lejon ushtrimin e vetëkënaqësisë prej zyrtarëve”.
Emmanuel Macron ka ardhur në pushtet prej vitit 2017, dhe ka parë disa valë protestash ndaj politikave të tij si ajo e ngritjes së moshës së pensioneve, dhe të politikave të kufizimit të prodhimit bujqësor ndaj fermerëve.