Bota

Nuk ndalen sulmet izraelite në Gaza/Amerika sulmoi dy objekte iraniane në Siri!

Ushtria e Izraelit njofton se forcat tokësore, të ndihmuara nga avionët luftarakë e dronët kryen sulme në qendër të Rripit të Gazës gjatë natës deri në mëngjes.

Trupat identifikuan dhe goditën shënjestra të shumta terroriste, përfshirë fushat e lëshimit të raketave anti-tank, qendrat ushtarake të komandës e kontrollit, si dhe terroristët e Hamasit.

Në  një tjetër zhvillim, ushtria e Shteteve të Bashkuara njoftoi se ka sulmuar dy objekte në lindje të Sirisë, të cilat përdoren nga forcat e armatosura të Gardës Revolucionare të Republikës Islamike të Iranit dhe grupet e lidhura me to. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin:

Sulmet preçize vetëmbrojtëse janë përgjigje ndaj një sërë bombardimesh të vazhdueshme e kryesisht të pasuksesshme kundër personelit të SHBA-ve në Irak e Siri nga grupet e mbështetura nga Irani, të cilat nisën më 17 tetor.

Austin konfirmoi se një kontraktues shtetas amerikan ndërroi jetë nga një infarkt kardiak gjatë sulmeve, ndërsa 21 pjesëtarë të personelit amerikan pësuan “lëndime të lehta, por të gjithë janë kthyer në punë tashmë”. Shtëpia e Bardhë njoftoi se sulmet në Siri erdhën pas një paralajmërimi të drejtpërdrejtë nga presidenti Joe Biden për liderin suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, kundër sulmeve ndaj trupave amerikane.

U dha një mesazh i drejtpërdrejtë. Kaq mund të them!

Kështu deklaroi zëdhënësi i Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-ve, John Kirby, duke mos treguar për mënyrën si u dha ky mesazh.

Në deklaratën e tij, shefi i Pentagonit Austin u përpoq të mos i lidhte sulmet kundër ndërtesave të përdorura nga forcat iraniane në Siri me luftën aktuale mes Izraelit dhe Hamasit në Rripin e Gazës.

Këto sulme kishin për qëllim vetëm mbrojtjen e personelit amerikan në Irak dhe në Siri.

Zyrtari i lartë shtoi se “nuk kanë të bëjnë dhe dallojnë nga konflikti i tanishëm mes Izraelit e Hamasit” dhe vuri në dukje se “nuk përbëjnë ndryshim në qëndrimin e Uashingtonit ndaj konfliktit Izrael-Hamas”.