Aktualitet Bota

Si e marrin avionët luftarakë rusë “fuqinë e trurit” nga Perëndimi?

Kompani të mëdha japoneze, amerikane dhe tajvaneze renditen në mesin e pesë prodhuesve më të mirë në një listë me më shumë se 2.000 komponentë elektronikë, që Ukraina thotë se i ka përdorur Rusia në pesë lloje të avionëve të saj luftarakë.

Këta avionë, më pas, i ka shfrytëzuar për pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës, zbuloi njësia hulumtuese e Shërbimit ukrainas të Radios Evropa e Lirë, Schemes.

Edhe pse importet nuk i shkuan Rusisë direkt nga prodhuesit, ato nxjerrin në pah dobësitë e sanksioneve që vendet perëndimore ia kanë vënë Rusisë, pasi ka nisur pushtimin e Ukrainës, më shumë se dy vjet më parë.

Ukraina thotë se ndalimi i importit të produkteve të tilla të sanksionuara, është vendimtar për mbrojtjen e saj kundër Rusisë. Në një fjalim më 14 prill, presidenti Volodymyr Zelensky tha se “nuk janë opinionet ato që e frenojnë prodhimin e raketave dhe dronëve për terror”.

Schemes siguroi një listë prej 2.000 komponentësh elektronikë që, sipas inteligjencës ukrainase, Rusia i ka përdorur në pesë lloje avionësh luftarakë, Sukhoi, që kanë qenë të përfshirë në sulmet në Ukrainë nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë, në shkurt të vitit 2022, deri në fund të vitit 2023.

Duke përdorur këtë listë dhe të dhënat e importit të qasshme nga publiku, Schemes u ra në gjurmë dy kompanive ndërmjetëse në vendet e Bashkimit Evropian – Qipro dhe Hungari – të cilat kanë dërguar komponentë elektronikë te kontraktorët rusë të mbrojtjes, të përfshirë në prodhimin e avionëve Sukhoi.

Lista e siguruar nga një burim i inteligjencës ukrainase, që i monitoron importet e kontraktorëve ushtarakë rusë, i identifikon komponentët elektronikë të përdorur për “trurin” e pesë modeleve të avionëve Sukhoi, si: Su-27SM3, Su-30SM, Su-34, Su-35S dhe Su-57.

Këto pjesë ndihmojnë sistemet e navigimit dhe drejtimit të avionëve rusë, si dhe komunikimin me qendrat e kontrollit.

Si shembull, Valeriy Romanenko, bashkëpunëtor i lartë kërkimor në Muzeun Shtetëror të Aviacionit të Ukrainës në Kiev, përmend radarin që mund të gjurmojë dhe shënjestrojë njëkohësisht dhjetëra vende më shumë se 300 kilometra larg, si dhe ta monitorojë vendndodhjen e avionit në raport me avionët e armikut dhe mbrojtjen kundërajrore.

Këto sisteme, “të ndërtuara kryesisht me elektronikë të prodhuar nga Perëndimi, u mundësojnë rusëve të na shkaktojnë humbje të konsiderueshme”, thotë Romanenko.

Pesëshja kryesore

Schemes rishikoi listën së bashku me Komisionin e Pavarur Kundër Korrupsionit (NAKO) – një organizatë jofitimprurëse e Kievit, e cila monitoron korrupsionin në sferën e sigurisë kombëtare të Ukrainës.

Sipas llogaritjeve të Schemes, Murata e Japonisë, e njohur për teknologjinë e radiove dhe filtrave, prodhoi numrin më të madh të komponentëve të përdorur nga Rusia në avion – 218 nga më shumë se 2.000 produkte të listuara.

Të dhënat e Doganave të Rusisë, të analizuara nga NAKO, tregojnë se importet ruse të produkteve Murata – përmes palëve të treta – janë rritur për 38 për qind në vitin 2022, përkatësisht në 8.5 milionë dollarë, ndërsa kanë arritur në 9.6 milionë dollarë më 2023.

Kompania Texas Instruments (TI) me bazë në SHBA u rendit e dyta, me 176 artikuj.

Radio Evropa e Lirë raportoi qysh në qershor të vitit 2023 se Rusia importon rregullisht produkte nga TI dhe një firmë tjetër amerikane, Analog Devices, nëpërmjet kompanive kazake dhe kirgize.

Analog Devices me bazë në SHBA dhe dega e saj, Maxim Integrated, u renditën në vendin e tretë dhe të pestë, me 163 dhe 60 artikuj, respektivisht.

Ndërkaq, kompania tajvaneze, Kemet, me bazë në SHBA, u rendit e katërta, me 71 artikuj, sipas analizës së listës që bëri Schemes.

Lista përmban, gjithashtu, kompani evropiane, si dhe prodhues të tjerë amerikanë dhe japonezë të elektronikës dhe gjysmëpërçuesve.

Importet nuk ishin blerje të drejtpërdrejta nga prodhuesit, por, siç tregojnë të dhënat nga databaza online e tregtisë ndërkombëtare, Import Genius, shitje nga palë të treta për blerësit rusë.

Schemes kontaktoi kompanitë Murata, Texas Instruments, Analog Devices, Kemet dhe Maxim Integrated për komente në këtë temë, por, deri në publikimin e këtij artikulli, përgjigje ktheu vetëm TI.

Një zëdhënës i kësaj kompanie tha përmes një emali më 30 prill se kompania “kundërshton fuqishëm përdorimin e çipave tanë në pajisjet ushtarake ruse, si dhe devijimin e paligjshëm të produkteve tona në Rusi”.

“Çdo dërgesë e çipave TI në Rusi është e paligjshme dhe e paautorizuar”, shtoi zëdhënësi i TI-së.

“Ne kërkojmë nga shpërndarësit dhe klientët tanë që t’i respektojnë ligjet e kontrollit të eksportit dhe të ndërmarrin veprime nëse merret vesh se ata nuk e bëjnë këtë”, tha zëdhënësi, i cili nuk deshi të identifikohej.

Dy prodhues të tjerë i dënuan, gjithashtu, shitjet e produkteve të tyre në Rusi.

Në një deklaratë të publikuar në faqen e saj në internet, Murata tha se politika e saj është “t’i respektojë ligjet e kontrollit të eksportit dhe të gjitha rregulloret e secilit vend ku operon Murata”. Ajo u kërkon klientëve jashtë Japonisë që të sigurojnë se produktet e kompanisë nuk përdoren për armë të shkatërrimit në masë, përfshirë raketa, si dhe “armë konvencionale, ose artikuj të krijuar posaçërisht për to”.

Në një deklaratë për Bloomberg News, në dhjetor të vitit 2023, Analog Devices (ADI) tha se “secila dërgesë pas sanksioneve në këto rajone, paraqet shkelje të drejtpërdrejtë të politikës sonë”.

Por, prodhimi i avionëve luftarakë, Sukhoi, vazhdon. Më 5 prill, për shembull, konglomerati i sanksionuar rus, në pronësi të industrisë shtetërore të mbrojtjes, Rostec, njoftoi për prodhimin e një numri të paspecifikuar të “bombarduesve të vijës së parë” Su-34.

Pas shqyrtimit të të dhënave nga Doganat ruse, njësia hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë, Systema, zbuloi se pjesë të aviacionit me vlerë prej më shumë se 8 milionë dollarësh u importuan në Rusi nga fillimi i vitit 2022 deri në korrik të vitit 2023. Marrësi kryesor i tyre ishte Yakovlev – prodhues i avionëve Sukhoi.

Si e siguron Rusia atë që i duhet?

Analiza e përbashkët që u bëri Schemes dhe NAKO të dhënave për importet ruse në Import Genius – databazë që përcjell tregtinë ndërkombëtare – zbuloi se disa kompani në vende si Kina dhe Turqia, eksportuan komponentë elektronikë në Rusi midis shkurtit 2022 dhe korrikut 2023, që përputhen me artikujt e përfshirë në listën e inteligjencës ukrainase.

Schemes u hodhi një vështrim më të afërt dy prej kompanive të regjistruara në Bashkimin Evropian, të cilat e ndalojnë shmangien e sanksioneve kundër Rusisë, por ua lënë zbatimin e tyre 27 vendeve anëtare.

Noratec Holdings, në pronësi të shtetasit letonez, Vladimirs Boreckis, është e regjistruar në Qipro. Ndërkaq, Matrix Metal Group, ku Boreckis shërben si drejtor menaxhues dhe është aksionari i vetëm i listuar, është e regjistruar në Hungari, ku Qeveria e kryeministrit Viktor Orban kritikon hapur sanksionet e BE-së kundër Rusisë.

Në periudhën 2021-2023, të dyja kompanitë dërguan në mënyrë të vazhdueshme komponentë elektronikë të huaj – të bërë nga kompanitë në listën e inteligjencës ukrainase – te një firmë private ruse, e quajtur Eksiton.

E themeluar në një paralagje të Moskës, Ramenskoje, në qershor të vitit 2022 – katër muaj pas nisjes së pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës – Eksiton e përshkruan veten në regjistrat e biznesit si shitëse me shumicë e “pajisjeve elektrike industriale, makinerive, aparateve dhe materialeve”.

Provat tregojnë se ajo është e lidhur me prodhimin e avionëve luftarakë, Sukhoi.

Personi që regjistrat e Qeverisë ruse e identifikojnë si pronar të shumicës së Eksitonit, Yury Korchevsky, ka qenë deri në vitin 2015 bashkëpronar i një kompanie, e quajtur gjithashtu Eksiton, me seli në qytetin perëndimor rus, Smolensk.

Eksitoni i dytë, sipas një regjistri rus të bizneseve, e furnizon Yakovlevin – prodhues i avionëve Sukhoi, i njohur më herët si Irkut.

Kompania, gjithashtu, ofron produkte për dy furnizuesit kryesorë të Yakovlevit – Byronë Qendrore të Dizajnit të Automatizimit dhe Uzinën Optike dhe Mekanike Ural – si dhe për kompani të tjera në pronësi të Rostecit.

Eksitoni i Smolenskut zotëron, gjithashtu, një tjetër kontraktor ushtarak rus, me bazë në Smolensk, i cili është sanksionuar nga Ukraina. Ai quhet Display Component dhe Noratec dhe Matrix Metal Group i kanë dërguar rregullisht komponentë elektronikë në vitin 2021, përkatësisht në periudhën 2021-2023.

Sipas regjistrave rusë të bizneseve, përpara fushatës së vitit 2022 kundër Ukrainës, Display Component ka furnizuar me elektronikë institutin privat kërkimor rus, Ekran, i cili zhvillon sisteme anti-ajrore dhe anti-raketore të avionëve dhe helikopterëve.

Ueb-faqja e Eksitonit në Smolensk nuk është më e qasshme, por në një version të arkivuar të saj thuhet se kompania ka marrë “çmime dhe letra falënderimi” nga Ministria ruse e Mbrojtjes për kontributin e dhënë në “kauzën e përbashkët të mbrojtjes së vendit”.

Pasojat

TI i tha Radios Evropa e Lirë se “ka bërë një rishikim të plotë dhe të brendshëm” për shitjet në Eksiton, Matrix Metal Group dhe Noratec Holdings. “Mund të konfirmoj se këtyre kompanive nuk u kemi shitur asnjë produkt prej se i kemi ndaluar shitjet në Rusi në shkurt të vitit 2022”, tha TI.

Schemes e pyeti përmes emailit Boreckisit, në lidhje me dërgesat e sanksionuara të komponentëve elektronikë në Rusi nga Noratec dhe Matrix Metal Group, por nuk mori përgjigje.

Në profilin e tij në LinkedIn – i cili u fshi pasi raporti i Schemes u publikua në gjuhën ukrainase më 17 prill – Boreckis e përshkruante veten si një “përshpejtues biznesi që mendon përpara”, me një sfond në teknologjinë financiare. Profili, të cilin Schemes e arkivoi, thoshte se ai flet rrjedhshëm rusisht dhe anglisht dhe se banon në Mbretërinë e Bashkuar.

As Noratec dhe as Matrix Metal Group nuk janë sanksionuar për eksportet e komponentëve elektronikë në Rusi.

Më 12 prill, Këshilli Evropian, i cili përcakton prioritetet e politikave të BE-së, miratoi një ligj që i ngarkon me përgjegjësi penale individët dhe kompanitë ose organizatat, që shkelin sanksionet tregtare kundër Rusisë.

Përveç masave të tjera, individët mund të përballen me burgim prej së paku pesë vjetësh, ndërsa kompanitë mund të mbyllen.

Sipas një rregulloreje të miratuar në dhjetor të vitit 2023, kompanitë e regjistruara në BE duhet të fusin një klauzolë “Jo Rusi” në kontratat e tyre, kur tregtojnë me partnerë jashtë BE-së. Zbatimi i kësaj mase, megjithatë, varet nga shtetet anëtare të BE-së.

Ahia Zahrebelska, e cila ndjek politikat e sanksioneve për Agjencinë Kombëtare të Ukrainës për Parandalimin e Korrupsionit, beson se edhe masat më të rrepta të BE-së kundër shmangies së sanksioneve, nuk do ta dekurajonin Rusinë.

Edhe nëse “një kompani që është e dobishme për Rusinë” sanksionohet, thotë ajo, Rusia “mund t’i krijojë menjëherë 10 kompani të reja fantome që do t’i kryenin të njëjtat detyra”.

Megjithatë, sanksionet e detyrueshme ndikojnë në “kohën e dorëzimit” dhe potencialisht cilësinë e pajisjeve ushtarake të Rusisë, thotë studiuesja e lartë në NAKO, Viktoria Vyshnivska.

“Një kompani kineze e krijuar një javë më parë, nuk i ka aftësitë e një gjiganti teknologjik”, produktet e të cilit Rusia nuk mund t’i përdorë më, thotë Vyshnivska.