Kryenegociatorët e Kosovës dhe të Serbisë do të takohen sot në Bruksel për të gjetur zgjidhje pas skadimit të periudhës kalimtare të BQK-së, e cila e përcakton euron si valutën e vetme për transaksione në Kosovë.
Emisari europian për dialog, Miroslav Lajçak, ka ftuar kryenegociatorin e Kosovës Besnik Bislimin dhe atë të Serbisë, Petar Petkoviç, për të vazhduar sot në Bruksel diskutimet mbi dinarin, me shpresën për gjetjen e një zgjidhjeje.
“Kryengociatorët do të takohen të mërkurën këtu në Bruksel, dhe do të vazhdojnë diskutimet për gjetjen e zgjidhjes së përkohshme të qëndrueshme për personat e prekur nga vendimi i Bankës Qendrore të Kosovës për operacionet me para të gatshme. Dhe në pritje të këtij takimi të mërkurën, Bashkimi Evropian pret që të dyja palët të tregojnë fleksibilitet dhe gatishmëri për të arritur një kompromis”, tha të hënën, zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Do të jetë ky takimi i shtatë me radhë ku diskutohet zbatimi i rregullores së BQK-së. Palët akoma nuk kanë gjetur zgjidhje, teksa në tryezë është ende propozimi për kompromis i prezantuar nga Miroslav Lajçak, në fund të muajit mars.
Më 12 maj ka kaluar periudha kalimtare e Bankës Qendrore dhe nga e diela euroja është valuta e vetme për transaksione në Kosovë.
Sipas kryeministrit të vendit, Albin Kurti, nëpërmjet Rregullores së BQK-së po synohen ligjshmëria e transparenca.
Zëdhënësi i BE-së ka thënë se hezitimi për të gjetur zgjidhje për çështjen e dinarit është duke ndikuar edhe në çështjet tjera me të cilat nuk po merren në dialogu për shkak se fokusi tash është në këtë çështje. Ai tha se prioritet mbetet zbatimi i Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve, që Kosova dhe Serbia arritën vitin e kaluar.
Njoftimi për takimin e sotëm të dialogut, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, vjen pasi gjatë fundjavës që shkoi përfundoi periudha tranzitore e Rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës, që parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave në Kosovë.
Kjo rregullore hyri në fuqi më 1 shkurt, por autoritetet vendosën një fazë tranzitore, që mundësonte lehtësim për zbatimin e këtij vendimi.
Rregullorja e BQK-së parasheh ndëshkime për ata që përdorin dinar serb. Por, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi për transmetuesin publik të Kosovës se rregullorja e BQK-së ka për qëllim ligjshmërinë “dhe jo ndëshkimin dhe dënimin”.
Pavarësisht se ka kaluar afati i periudhës tranzitore, në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe, dinari serb po vazhdon të qarkullojë.
Ndryshe, në rundin e fundit të dialogut, të mbajtur më 25 prill, kryengociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se i dërguari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka paraqitur një propozim të ri që synon të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë.
Bislimi nuk tregoi detaje konkrete të propozimit, por tha se Kosova dhe Serbia duhet të japin mendimet e tyre për të në shtatë ditët e ardhshme.