Aktualitet

14 Maji, KQZ regjistron koalicionin “Bashkë Fitojmë” pa Berishën/Regjistrohet edhe PD e Alibeajt!

Vendoret e 14 Majit, në mesditë Komisioni Qendror i Zgjedhjeve regjistroi koalicionin Bashkë Fitojmë, por pa PD-në e Berishës, vetëm me partitë politike të Ilir Metës, Nard Ndokës e Vangjel Dules.

Kryekomisioneri Ilirjan Celibashi u shpreh:

Jemi përballë të njëjtës situatë si përpara zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit 2022. Regjistrojme koalicionin “Bashkë Fitojmë”, por vetëm me pjesëmarrëse Partinë e Lirisë, Partinë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut dhe Partinë Demokristiane.

Në lidhje me regjistrimin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”, përfaqësuesi i PD-së së Alibeajt, Indrit Sefa tha se duhet rrëzuar kërkesa e këtij koalicioni se sipas tij janë përdorur simbolet e PD-së në mënyrë të paautorizuar.

Unë si përfaqësues i PD-së, konfirmoj se Partia Demokratike nuk ka bërë asnjë koalicion. Po ashtu, ju konfirmoj që është përdorur emri, karakteristika dhe logo e PD-së nga persona të paautorizuar e të palegjitimuar. Kërkesë e domosdoshme është depozitimi i marrëveshjes. Komisioneri duhet të konstatojë se kjo marrëveshje është bërë në mashtrim të ligjit dhe të zgjedhësve, Partia Demokratike nuk ka asnjë kërkesë për koalicion.

Së dyti, kjo kërkesë duhet rrëzuar për aq kohë sa marrëveshja është një dokument i domosdoshëm për paraqitjen në KQZ. Kjo marrëveshje nuk është e ligjshme, ndaj kërkojmë rrëzimin e kërkesës sepse në të është shprehur vullneti për Partinë Demokratike nga persona të paautorizuar.

Celibashi:

Do ta regjistrojmë vetëm me tre parti politike, Partia e Lirisë, Partia Demokristiane dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut me shkronjat “BF”.

Po ashtu, KQZ-ja vendosi të regjistrojë edhe ligjërisht PD-në e Alibeajt në zgjedhjet e 14 Majit, pas vendimit të KAS-it, dy ditë më parë. Përfaqësuesi i PL-së i kërkoi Celibashit të shtynte vendimin derisa çështja të shqyrtohet në Kolegjin Zgjedhor, por kërkesa nuk u pranua nga Komisioneri Shtetëror.

Ky vendim i KAS-it ngelet thjesht e vetëm teknikisht për t’u zbatuar nga Komisioneri Shtetëror. Eshtë akti i një organi të parashikuar nga ligji për të vendosur për çështje të tilla. Për aq kohë sa ky organ ka vendosur regjistrimin si subjekt zgjedhor të PD-së, mbetet vetëm zbatimi i këtij vendimi. Vendos regjistrimin e PD-së me nënkryetar Enkelejd Alibeajn, në cilësinë e kryetarit të komanduar të PD-së për zgjedhjet e 14 Majit.