Qeveria ka miratuar këtë të mërkurë, në mbledhjen e Këshillit të Ministrave, një projektligj për amnistinë për të burgosurit.
Nëse ky projektligj miratohet në parlament, do të përfitojnë rreth 600 të dënuar, që do t’i kalojnë festat pranë familjarëve, u shpreh ministri i Drejtësisë Ulsi Manja.
Gratë dhe të miturit janë dy kategoritë që do të përfitojnë më shumë nga kjo amnisti.
“Tani projektligji është në Kuvendin e Shqipërisë, do të ndjekë procedurën parlamentare, sipas rregullores, sepse këkron një shumicë të cilësuar. Ata që do të lirohen, do të kenë një mundësi të rehabilitimit, risocializimit në familjet e tyre dhe në shoqëri”, u shpreh Manja, pas mbledhjes.
Përfitues nga kjo amnisti janë:
– Personat meshkuj, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 3 vjet ose çdo lloj dënimi tjetër më të butë, duke përfshirë gjobën ose një nga llojet e alternativave të dënimit me burgim, pavarësisht nga koha e mbetur nga dënimi. Personat femra, dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, me burgim deri në 4 vjet.
– Të dënuarit me burgim, të cilëve, deri në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji, u ka mbetur pa vuajtur nga ky dënim deri në 3 vjet.
– Të dënuarit meshkuj që janë baras ose mbi moshën 60 vjeç dhe femra baras ose mbi moshën 50 vjeç.
– Personat e dënuar me burgim, të cilët në kohën e kryerjes së veprës penale, kanë qenë baras ose nën moshën 18 vjeç.
Përjashtim bëjnë të dënuarit me burg përjetuar, të dënuarit për vrasje dhe ata që janë subjekte të SPAK-ut.