Aktualitet

Shkatërrohet rrjeti shpërndarës, droga e fshehur në konserva në Tiranë!

Shkatërrohet një grup kriminal që shpërndante drogë në Tiranë. Trafikantët e fusnin hashashin në konserva e më pas e shpërndanin. Kanabisi që tregtonin prodhohej me llamba dhe kushtonte 3 mijë lekë, pra tre herë më shtrenjtë se ai klasik. Operacioni policor është në vijim, ndërsa mësohet se të përfshirët në këtë rrjet shpërndanin kanabis, kokainë e heroinë.

Ky hetim filloi muaj më parë e nisi me lidhjet e personave të arrestuar më herët për shpërndarje lëndësh narkotike. Kjo çoi në zbulimin e anëtarëve të tjerë e gjykata ka nxjerrë mbi 100 urdhra ndalimi.

Por, ky operacion nuk po zhvillohet vetëm në Tiranë. Paralelisht po mbahet edhe në të tjera qytete, por zbulohet se numri më i lartë i shpërndarësve është në Tiranë.

Deri më tani, në qytetin e Vlorës janë arrestuar 60 persona, të cilët dyshohen se janë shpërndarës të sasive të vogla të drogës. Mes të arrestuarve ka edhe vajza.

Në qytetin e Elbasanit u arrestuan nëntë persona e pesë të tjerë u shpallën në kërkim. Mes të arrestuarve është edhe një punonjës policie, Sajmir Hysa, i akuzuar për shpërdorim detyre e për përkrahje të autorit të krimit.

Në Korçë iu vunë pranga 20 vetëve.

Në Fier raportohet për katër të arrestuar dhe gjashtë nën hetim.

Në Bulqizë u arrestuan katër persona dhe u kontrolluan pesë banesa.

Në Shkodër janë sekuestruar mbi 10 mijë rrënjë kanabis sativa, në zonat e Dajçit e të Velipojës, ndërsa në komisariat u shoqëruan tre persona. Po ashtu njoftohet se Policia e Shkodrës ka ushtruar kontrolle edhe në disa lokale në afërsi të shkollave në lagjen “Skënderbeg”, ku janë shoqëruar disa persona të tjerë.

Mësohet se vetëm në kryeqytet, uniformat blu sekuestruan rreth 3 kg kokainë e 15 kg kanabis sativa. Nga policia pritet një dalje për mediat më vonë gjatë ditës, për të dhënë më shumë detaje rreth këtij operacioni.