Aktualitet

8 vendet më të bukura për t’u vizituar në Shqipëri sipas faqes MSN!

“Fshatra piktoreske në majë të kodrave, vende të jashtëzakonshme antike, plazhe parajsore dhe male spektakolare…. Këto janë 8 vendet më të bukura që duhen vizituar gjatë një udhëtimi në Shqipëri”. Cyrielle Didier i shkruan këto në faqen amerikane MSN dhe prezantimin e nis me Beratin.

Berati, qyteti i bukur i një mbi një dritareve

Rreth 100 kilometra larg Tiranës, qyteti i njohur si “qyteti i një mijë dritareve” ka një bukuri të parezistueshme. I strehuar midis dy kodrave dhe lumit Osum, ai shfaq me krenari shtëpitë e tij osmane buzë shkëmbit dhe labirintin e rrugëve të shtruara, disa prej të cilave datojnë në shekullin e XV.

Pamja më e paharrueshme? Kalaja mahnitëse e Beratit, një kështjellë e shekullit të XIII, me pamje nga qyteti në një lartësi prej 187 metrash, duke ofruar një panoramë të këndshme të gjithë luginës. Eshtë një mjedis shqiptar i përsosur, të cilin nuk do të dëshironit ta humbisnit.

Butrinti, një vend i jashtëzakonshëm arkeologjik

Në skajin jugor të Shqipërisë gjendet zona arkeologjike e Butrintit. Fillimisht ka qenë vendbanim grek, para se të bëhej qytet romak, më pas dioqezë, përpara se të pushtohej nga Bizanti e më tej Venediku. Në disa qindra hektarë, në një mjedis natyror të bukur që të lë pa frymë, mund të zbuloni muret mesjetare, një teatër grek, një kullë veneciane, një bazilikë bizantine e rrënoja romake.

Dhërmiu, bukuria e Rivierës Shqiptare

Me shtëpitë e tij të bardha të ngritura lart mbi det, zona bregdetare e Dhërmiut, në bregun e Jonit është një vend me të vërtetë i bukur. Rrethinat e tij zotërojnë një bukuri të rrallë: i kufizuar nga malet Cerauniane dhe i rrethuar nga plazhet parajsore, gjiri ofron shtigje të paharrueshme ecjeje si kanioni i Gjipesë, me shkëmbinjtë e tij spektakolarë e me pamje nga një gji, me rërë të rrethuar nga ujërat bruz.

Sheshi “Skënderbej”, zemra historike e Tiranës

Kjo hapësirë e pamasë, kushtuar Skënderbeut, Heroit Kombëtar të Shqipërisë që udhëhoqi rezistencën kundër Perandorisë Osmane në shekullin e XV është zemra historike dhe e gjallë e Tiranës. Krejtësisht i pedonalizuar, sheshi është i mbushur me restorante e përbën një pikënisje të shkëlqyer për të eksploruar historinë dhe kulturën shqiptare.

Arkitektura e ndërtesave ngjall disa periudha pushtimi në historinë shqiptare (pushtimet osmane e fashiste dhe stilin sovjetik). Në mënyrë të ngjashme, ju mund të vizitoni Muzeun Historik Kombëtar, që gjurmon dy mijëvjeçarët e historisë së rajonit.

Gjirokastra

I famshëm për qendrën dhe fortesën e tij të bukur historike, qyteti jugor i Gjirokastrës është listuar si një sit i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s për ndërtesat e tij të ruajtura të epokës osmane. Qyteti përfshin një seri të jashtëzakonshme shtëpish dykatëshe të shekullit të XVII, një pazar osman, dy kisha dhe një xhami të shekullit XVIII. Gjithashtu, do të zbuloni një mjedis historik në sfondin e bukur të luginës së lumit Drin.

Kruja, qyteti i mrekullueshëm mesjetar në periferi të Tiranës

Rreth 30 kilometra larg Tiranës, qyteti i vogël mesjetar i Krujës është i famshëm për kështjellën e tij në majë të kodrës, ku ndodhet Muzeu Kombëtar i Gjergj Kastrioti Skënderbeut, kushtuar heroit shqiptar. Mes një peizazhi të mrekullueshëm malesh të mbuluara me pisha, qyteti i vjetër ka mjaft karakter, me rrugët e tij me kalldrëm, shtëpitë e vjetra me mure të bardha, një sërë monumentesh osmane dhe pazarin e vjetër (Pazari i Vjetër), plot me suvenire tradicionale artizanale.

Ishulli i vogël i Zvërnecit, laguna e tij dhe manastiri bizantin

Në bregdetin qendror të Shqipërisë, përballë rajonit të Pulias në Itali, në pjesën veriore të rajonit të Vlorës ndodhet Zvërneci. Në zemër të ti, laguna e qetë e Nartës është shtëpia e ishullit të vogël të Zvërnecit, të cilin mund ta arrini nëpërmjet një ure gjarpëruese 270 metra të gjatë. Kjo tokë e mbuluar me pisha është shtëpia e manastirit bizantin të shekullit të XIII të Shën Marisë të ruajtur mirë. Në fund të ditës, ka të ngjarë të dalloni disa flamingo rozë.

Parku Kombëtar dhe Lugina e Thethit, në Alpet Shqiptare

Në veri të vendit, kjo luginë e mrekullueshme në Alpet Shqiptare ka qenë prej kohësh një nga vendet më të izoluara në Ballkan. Rruga e ndërtuar në vitin 2010 dhe strukturat e Parkut Kombëtar të Thethit të krijuara në vitin 2022 e bëjnë këtë vend të mrekullueshëm të arritshëm për të gjithë.

Ndërtesa të vjetra prej guri të rrethuara nga pyje, shpella dhe lumenj të dominuar nga malet, shkëmbinjtë shkëmborë nga të cilët bien përrenjtë dhe ujëvarat. Peizazhi është magjepsës. I rrethuar nga male, fshati i vogël i Thethit me siguri do t’ju mahnisë me hijeshinë e tij.