Aktualitet

Aksident me 7 të plagosur në Rrugën e Kombit, mes tyre 3 të mitura!

Në orët e vona të mbrëmjes, një aksident i rëndë u shënua në Rrugën e Kombit, në afërsi të Rrëshenit. Nga përplasja mes tyre e dy makinave mbetën të lënduar shtatë persona. Pesë prej tyre, dy të rritur e tre vajza të mitura, pjesëtarë të së njëjtës familje me banim në Shëngjin të Lezhës udhëtonin në mjetin tip “Audi” që rreth orës 21:00 u përplas me një “BMW” ku gjendeshin dy shtetase nga Kosova, drejtuesja e pasagjerja.

Katër prej të plagosurve u dërguan në Spitalin Rajonal të Rrëshenit e tre të tjerët te i Traumës në Tiranë. Mësohet se që gjithë janë jashtë rreziku për jetën. Nga grupi hetimor vazhdon puna për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit rrugor me shtatë të dëmtuar, përfshirë tre të mitura.

Njoftimi policisë:

Mirditë/Informacion paraprak

Rreth orës 20:50, në autostraden “Rruga e Kombit”, në zonën e Rrëshenit, janë përplasur mjeti tip “Audi” me drejtues shtetasin A.M dhe pasagjerë shtetasja D.M e tre vajza të mitura (familje), banues në Shëngjin, Lezhë, me mjetin tip “BMW” ku udhëtonin shtetaset B.S dhe M.S banuese në Kosovë.

Për pasojë janë lënduar fizikisht të gjithë personat që ndodheshin në mjetet e përfshira në aksident. Janë dërguar në Spitalin Rajonal të Rrëshenit katër nga të dëmtuarit, ndërsa tre prej tyre janë transportuar për në Spitalin e Traumës Tiranë, ku paraprakisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor në vendin e ngjarjes vazhdon veprimet hetimore për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.