Aktualitet

Aksident me makinë në Shkodër, 27-vjeçarja mbetet e bllokuar brenda, plagosen edhe pasagjerët!

Një aksident i rëndë ka ndodhur rreth orës 14:50 në fshatin Zues të Shkodrës, ku një makinë është përplasur me shtyllën elektrike duke lënë të plagosura tre vajza.

Shoferja 27-vjeçare ka humbur kontrollin e makinës që drejtonte, duke u përplasur më pas me shtyllën elektrike dhe si pasojë ka mbetur e dëmtuar së bashku me dy pasagjeret.

Deri më tani nga mjeti i aksidentuar janë shpëtuar vetëm dy pasagjeret, ndërsa vijon ende puna për nxjerrjen e drejtueses së makinës.

Ekipet e zjarrfikësve po punojnë ende për nxjerrjen nga makina të 27-vjeçares. Në pamjet e siguruara nga Top Channel duket se nga përplasja e fortë me shtyllën makina është shkatërruar plotësisht.

Sipas policisë, shoferja është identifikuar me inicialet E. G., ndërsa dy vajzat e tjera 21 vjeç, me iniciale A. D. dhe B. G..

Dy vajzat janë në kujdesin e mjekëve jashtë rrezikut për jetën, ndërsa grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit.

“Rreth orës 14:50, në fshatin Zues, shtetasja E. G., 27 vjeçe, ka humbur kontrollin mbi automjetin që drejtonte dhe si pasojë automjeti është përplasur me një shtyllë elektrike, në anë të rrugës. Nga përplasja, janë dëmtuar 27-vjeçarja dhe pasagjeret në automjet, shtetaset A. D., 21 vjeçe dhe B. G., 21 vjeçe. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendin e aksidentit, ku vijon puna për nxjerrjen e drejtueses, nga automjeti i përplasur, me qëllim transportimin në spital. Ndërkaq, 2 pasagjeret janë në spital, në kujdesin e mjekëve dhe jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, sipas policisë së Shkodrës.