Aktualitet

Aksident në Fier, autobusi me nxënës përplaset me një makinë/Një i plagosur!

Aksident me një të plagosur në aksin Fier-Roskovec. Një autobus u përplas me një makinë tip “Benz”. Pas përplasjes, autobusi përfundoi në oborrin e një banese, në anë të rrugës. Drejtuesi i tij 62-vjeç po merr ndihmë mjekësore në spital. Grupi hetimor në vendgjarje po punon për të zbuluar shkaqet.

Autobusi i linjës Fier – Roskovec është përplasur me një mjet tip “Benz” me drejtues shtetasin A. T., 62 vjeç dhe ka përfunduar në oborrin e një banese në anë të rrugës.

Për pasojë ka mbetur i plagosur drejtuesi i autobusit K. Sh., 62 vjeç, i cili po merr ndihmë mjekësore në spitalin rajonal Fier. Grupi hetimor ndodhet në vendgjarje dhe po punon për zbardhjen e shkakut të aksidentit.

Aksidentet rrugore kanë vijuar të rriten edhe në tetor. Të dhënat zyrtare të Institutit të Statistikave raportojnë se u numëruan 98 aksidente rrugore nga 84 të ndodhura në tetor 2022. Në njoftim thuhet:

Numri i aksidenteve rrugore është rritur me 16,7%. Numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 130 persona nga 105 në muajin Tetor 2022.  Gjatë këtij viti, me përjashtim të muajve janar, mars, prill dhe maj, në përgjithësi çdo muaj ka rezultuar me rritje të numrit të aksidenteve në raport me muajin respektiv të vitit paraardhës.

Sipas INSTAT-it, në tetor aksidentet rrugore, në 83,7% të rasteve, kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesit të mjetit.  Numri më i lartë i aksidenteve në këtë periudhë është kryer nga grup-mosha 45-59 vjeç, duke zënë 26,5% të numrit të aksidenteve gjithsej. Aksidentet në këtë grup-moshë janë rritur me 73,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

INSTAT vlerëson se nga të dhënat e përpunuara në muajin Tetor 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur ditën e Hënë me 19,4 %, ndërsa numri më i ulët i aksidenteve ka ndodhur të ditën e Enjte me 8,2 %.

Në muajin Tetor 2023, numri më i lartë i aksidenteve rrugore ka ndodhur gjatë harkut kohor 08:00-12:00 dhe 14:00-17:00 duke zënë secila nga 22,4 % të numrit të aksidenteve rrugore gjithsej.

Statistikat 10 mujore

Në dhjetëmujorin e vitit 2023, numërohen 961 aksidente rrugore nga 968 aksidente, të ndodhura në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Numri i aksidenteve rrugore është ulur me 0,7%. Numri i të aksidentuarve është 1.319 persona nga 1.362 persona të aksidentuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë. Aksidentet rrugore, në 12,0% të rasteve kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së këmbësorit. Numri i aksidenteve sipas sjelljes së këmbësorit për dhjetëmujorin është ulur me 9,4%.