Aktualitet

Alma Cani pritet të emërohet si drejtoresha e re e QSUT-së pas dorëheqjes së Ficos!

Mjekja Alma Cani, Profesore e Asociuar do të zëvendësojë Albana Ficon në krye të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë. Aktualisht, Cani është nëndrejtoreshë dhe Shefe e Shërbimit të Anestezisë-Reanimacionit pranë Spitalit Universitar, “Shefqet Ndroqi”. Më herët gjatë ditës u njoftua dorëheqja e Ficos, një vendim që vjen rreth një muaj e gjysmë nga zjarri në urgjencën e re të Sëmundjeve të Brendshme, që prej mbi një muaji është jashtë funksioni. Shkaqet e flakëve po hetohen nga Prokuroria e Tiranës.

Kujtojmë se Fico mori detyrën në dhjetor të vitit 2021, kohë kur zëvendësoi Enkelejd Jotin. Albana Fico është pedagoge në Universitetin e Mjekësisë e prej më shumë se 4 vitesh drejtonte Institutin e Shëndetit Publik, ISHP, duke përfshirë periudhën e kulmit të pandemisë COVID, që çoi në masa tër forta kufizuese e deri në mbyllje.

Ndërkaq, sa i përket zjarrit në QSUT, më 2 mars, Prokuroria e Tiranës njoftoi:

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë ka regjistruar procedimin penal 1578, dt.29.02.2024 për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, parashikuar nga neni 151 i Kodit Penal.

Ky procedim penal, është regjistruar pa persona në hetim, për të hetuar mbi zjarrin e rënë në katin e parë të Urgjencë së Qendrës Spitalore ‘Nënë Tereza’ në orët e para të mëngjesit të 11.02.2024.

Nga ana e prokurorisë është urdhëruar administrimi i të gjitha provave për të dokumentuar shkakun dhe vlerën e dëmit të shkaktuar, si dhe personat përgjegjës për shkaktimin e dëmit.

Me administrimin e akteve proceduriale dhe akteve të ekspertimit do të konkludohet mbi shkakun e rënies së zjarrit dhe vatrës fillestare.

Më herët, një akt-ekspertizë tregoi se ngjarja ka qenë aksidentale, si pasojë e një keqfunksionimi të baterive. Vetë QSUT-ja pati njoftuar më parë se për shkak të zjarrit, shërbimi i urgjencës polivalente pranë Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” vazhdon të ofrohet sipas një grafiku të mirëpërcaktuar në Spitalin Universitar të Traumës, si dhe në Qendrën Spitalore Rajonale e Tiranës “Shefqet Ndroqi”.

Ndërkaq, qytetarët e Gjirokastrës, Vlorës, Fierit e Beratit vijojnë të marrin urgjencën kardiologjike, atë të sëmundjeve të brendshme, si edhe Ortopediken në Spitalin Memorial, ndërsa urgjencat kardiologjike për qarqet Shkodër e Lezhë, trajtohen në Spitalin Rajonal Shkodër.