Aktualitet

Ambasadori i BE takohet me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese: Diskutuam për punën e institucionit kyç të sistemit demokratik të vendit!

Ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato është takuar me kryetaren e Gjykatës Kushtetuese Holta Zaçajn me të cilën ka diskutuar për bashkëpunimin në mbështetje të institucionit që ajo drejton.

“Kënaqësi të takoja znj. Holta Zaçaj, Kryetare e Gjykatës Kushtetuese të Shqipërisë. Diskutuam për punën e Gjykatës dhe bashkëpunimin tonë të ardhshëm në mbështetje të këtij institucioni kyç të sistemit demokratik të Shqipërisë.” shkruan ambasadori i BE-së, Silvio Gonzato në rrjetin social “X”.

Gjatë takimit, Zaçaj ndau me Ambasadorin përpjekjet e vazhdueshme të Gjykatës për të forcuar efektivitetin e vendimmarrjes dhe veprimtarisë së saj, si dhe u ndal te disa prej arritjeve më kryesore të kësaj periudhe si hartimi i Udhërrëfyesit të parë të Jurisprudencës së Gjykatës Kushtetuese, transmetimi i seancave gjyqësore në live stream, përmirësimi i komunikimit të Gjykatës me median dhe publikun nëpërmjet organizimit të konferencave për shtyp pas vendimmarrjeve më të rëndësishme etj.

Nga ana e tij, ambasadori Gonzato, duke e vënë theksin në rëndësinë që mbart realizimi me sukses i reformave, si dhe niveli i ndërveprimit me autoritetet publike dhe shoqërinë civile për anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, shprehu angazhimin për mbështetjen e veprimtarisë së Gjykatës Kushtetuese, si një institucion kyç për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive të qytetarëve, promovimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës