Aktualitet Lajmet e fundit

Ankimoi vendimin për pjesëmarrjen në seancat plenare/ Ja kur do të mbahet seanca e Berishës në Gjykatën e Lartë!

Seanca gjyqësore në Gjykatën e Lartë për ish-kryeministrin Sali Berisha do të mbahet më 23 maj ora 14:00.

Kjo seancë do të mbahet pasi ai ankimoi përmes avokatëve rrëzimin e kërkesës për pjesëmarrje në Kuvend.

Në GJKKO vijon tentativat e avokatëve mbrojtës të Sali Berishës dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi për të ndryshuar masën e sigurisë ‘arrest me burg’.

Në seancën e djeshme avokatët i kërkuan gjyqtares Irena Gjoka të heqë dorë nga gjykimi duke i paraqitur vendimin e Gjykatës së Athinës. Vetë gjyqtarja nuk u shpreh por i ktheu aktet avokatëve.

Seanca u shty për në datën 21 maj ku gjyqtarja do të shprehet për kërkesën për revokimin e masës së sigurisë për Malltezin ndërsa për Berishen avokatët kanë rezervuar të drejtën ta bëjnë në seancën e radhës.  Nga ana e tyre prokurorët e SPAK kanë kërkuar që të mos ndryshohet  masa e sigurisë.

Prej 30 dhjetorit 2023 Sali Berisha ndodhet në arrest shtëpie, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme, pas kërkesës së SPAK.

Ish kryeministri Berisha, nën hetim nga SPAK akuzohet se ka ndërmarrë veprime konkrete në miratim ligjesh dhe aktesh nënligjore, për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin ndërtoi më pas 19 kulla.