Aktualitet

Bashkëpunimi afatgjatë, Rama me Unionin e Sipërmarrësve të Francës!

Në kuadër të vizitës dy-ditore që po zhvillon në Paris e që kulmon me një takim me presidentin francez Emmanuel Macron, sot kryeministri Edi Rama pati një takim me Unionin e Sipërmarrësve të Francës. Ndërsa në rrjetet sociale ndau momente nga mëngjesi në Paris me Unionin e Sipërmarrësve të Francës, shefi i qeverisë informoi se u diskutua në lidhje me mundësitë dhe potencialin e bashkëpunimit afatgjatë.

Rama diskutoi me drejtuesin e Unionit të Sipërmarrësve të Francës, Jean-Paul Agon, president i grupit L’Oréal dhe i Komitetit Francë-Shqipëri në MEDEF. Në këtë takim ishin të pranishëm 35 përfaqësues të kompanive prestigjioze franceze, si dhe të tjerë të ftuar po nga bota e biznesit.

Gjatë takimit u prezantuan disa nga fushat prioritare për investime në Shqipëri, me interes të ndërsjellë për të dy vendet, ndërkohë që axhenda e kryeministrit Rama përfshin një sërë takimesh individuale me drejtues të sipërmarrjeve pjesëmarrëse.

Rama e nisi dje vizitën zyrtare dyditore në Paris, me ftesë të shefit të Elizesë, Emmanuel Macron. Në fokus janë një sërë takimesh të përqëndruara kryesisht në promovimin e potencialeve e klimës pozitive që Shqipëria ofron për zhvillimin e investimeve të huaja, si dhe në perspektivën e bashkëpunimit mes dy vendeve në fushat e teknologjisë e të inovacionit.

Me kryeministrin Edi Rama, po ashtu pjesë e delegacionit qeveritar janë ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhe, ministri i Shtetit për Pushtetin Vendor, Arbjan Mazniku, si dhe ministrja e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin, Adea Pirdeni.

Pas mbërritjes në Paris, i shoqëruar nga bashkëshortja Linda Rama, dje kreu i ekzekutivit shkruante:

Për një tjetër moment historik në politikën tonë të jashtme, vizitën dypalëshe nesër (12.04.2024) me Ceremonial Shtetëror, e para e këtij niveli në historinë e marrëdhieve diplomatike mes Shqipërisë dhe Francës, ku do të hedhim hapa konkretë për forcimin e miqësisë dhe rritjen e bashkëpunimit strategjik me Francën.