Aktualitet

BSH: Leku me pozita të forta nga rekordi i të ardhurave në turizëm!

Monedha vendase, leku, po ruan pozita të forta në kursin e këmbimit valutor edhe në javët e para të majit 2024, muajit ku ndodhemi. Sipas kursit në tregun e lirë, sot euro u këmbye me 100.2 lekë në blerje dhe 100.9 lekë në shitje, thuajse në të njëjtat nivele sa të ditëve më parë, por duke shënuar një rënie me 9.73 lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, kur këmbehej me 110.63 lekë.

Sipas Bankës së Shqipërisë, gjatë këtij viti, sërish kursi është në rënie dhe euro po zbret përsëri afër niveleve me të cilat mbylli vitin e kaluar. Po ashtu, bie në sy se edhe kursi i dollarit amerikan dhe ai i paundit britanik po shënon një tendencë rënëse gjatë kësaj jave edhe pse sidoqoftë po mbetet në nivele pak më të larta krahasuar me fundin e muajit dhjetor të 2023-shit.

Forcimi i lekut gjatë vitit të kaluar, kryesisht u cilësua si rezultat i prurjeve rekord nga turizmi dhe i përmirësimeve të ndjeshme në bilancin e pagesave të vendit tonë. Banka Qendrore vëren se gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2023, vijoi prirja e mbiçmimit të lekut kundrejt euros. Monedha e përbashkët europiane u mbështet nga rritja e konsiderueshme e hyrjeve valutore nga eksporti i shërbimeve në bilancin e pagesave.

Në fund të periudhës, kursi i këmbimit të euros ishte 104.1 lekë dhe kjo vlerë përfaqësonte një mbiçmim të lekut me gati 3% kundrejt gjashtë muajve më parë e me 9% kundrejt një viti më parë. Mbiçmimi i lekut u përshpejtua veçanërisht në muajin gusht 2023 (me gati 4%) si efekt edhe i sezonalitetit. Gjatë këtij muaji, monedha Euro regjistroi vlerën më të ulët historike të këmbimit të saj ndaj monedhës Lek, prej 103.2 lekësh për 1 euro.

Mbiçmimi i lekut ka qenë i ndjeshëm edhe ndaj dollarit amerikan. Në muajin dhjetor 2023, 1 dollar amerikan këmbehej me mesatarisht 96.6 lekë duke pasqyruar një mbiçmim të lekut me 2% kundrejt gjashtë muajve më parë dhe me 11% në krahasim me një vit më parë.

Ndërkohë, gjatë periudhës në fjalë, Banka e Shqipërisë ka vijuar të zhvillojë ankande për blerjen e euros, sipas kalendarit të publikuar, si dhe me objektiv rritjen e rezervës valutore.