Aktualitet

BSH: Sektori bankar u rrit me 4.7% vitin e kaluar!

Sektori bankar u rrit me 4.7% vitin e kaluar. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, totali i aktiveve të sektorit në fund të vitit 2023 arriti në 1.965 trilionë lekë. Ritmi i rritjes së aktiveve u ngadalësua nga niveli prej 5.8% i vitit 2022, por megjithatë vlerësohet se përcaktues në ngadalësimin e rritjes së sektorit bankar ishte efekti i kursit të këmbimit.

Në fund të vitit 2023, kursi i këmbimit Euro-Lek ishte në rënie vjetore me 9.1% dhe kjo ndikoi edhe vlerën e aktiveve në monedhën europiane të sektorit bankar. 51% e aktiveve totale të sektorit bankar janë në valutë të huaj dhe kryesisht në Euro. Megjithatë, pesha specifike e aktiveve në valutë pësoi rënie nga niveli prej 52.8% i fundit të vitit 2022, pikërisht për shkak të efektit të kursit të këmbimit.

Rritja e aktiveve gjatë vitit të kaluar u përqendrua kryesisht në segmentin e letrave me vlerë të borxhit. Totali i investimit në letra me vlerë arriti në 682.7 miliardë lekë, në rritje me 10.5% krahasuar me një vit më parë. Gjatë vitit të kaluar, normat e interesit të Euros dhe Dollarit Amerikan në tregjet ndërkombëtare shënuan rritje të ndjeshme, duke ndjekur lëvizjet shtrënguese monetare të bankave qendrore përkatëse.

Kjo u reflektua në një tendencë përgjithësisht rritëse të yield-eve, duke rritur kthimet nga titujt e borxhit në valutë të huaj. Kjo ndikoi paralelisht edhe në rritjen e vlerës së aktiveve jorezidente, që arritën në 422.7 miliardë lekë, në rritje me 6.8% krahasuar me fundin e vitit 2022. Ndërkohë, në monedhën vendase yield-et e titujve të qeverisë e frenuan rritjen e shpejtë të gjysmës së dytë të vitit 2022, por megjithatë bankat vazhduan rritjen e investimeve në këto instrumente, që vazhdojnë të ofrojnë kthime mjaft të kënaqshme në raport me rrezikun.

Portofoli bruto i kredisë (pa zbritur provigjionet për kreditë me probleme) në fund të vitit të kaluar arriti në 735.9 miliardë lekëve, në rritje me 3.4% krahasuar me fundin e vitit 2022. Rritja e kredisë në terma bruto është pak më e ulët se ajo e raportuar në terma neto, për shkak të rritjes së totalit të provigjioneve. Sipas Bankës së Shqipërisë, gjendja e provigjioneve për mbulimin e humbjeve nga huatë në fund të vitit 2023 arriti në 22.4 miliardë lekë, në rritje me 8.4% krahasuar me një vit më parë.

Gjithashtu, vlerësohet se portofoli i kredisë është ndikuar më shumë nga efekti negativ i kursit të këmbimit, për shkak të peshës më të lartë të aktiveve në valutë krahasuar me zërin e investimeve në letra me vlerë. Grupi tjetër i rëndësishëm i aktiveve, ai i veprimeve me thesarin dhe ndërbankare, vitin e kaluar pësoi rënie në 510.4 miliardë lekë, 1.8% më pak krahasuar me një vit më parë.

Ky grup përfshin zërat me likuidë të aktiveve, si mjetet monetare, vendosjet me bankën qendrore, bonot e thesarit dhe vendosjet në bankat dhe institucionet e tjera financiare, kryesisht jashtë vendit./ Monitor