Aktualitet

“Cënim real i integritetit të shtetit”- Dhoma e Avokatisë Shkodër reagon për tritolin në banesën e gjyqtarit, Tonin Sterkaj!

Dhoma e Avokatisë Shkodër ka reaguar në lidhje me shpërthimin me tritol në banesën e gjyqtarit Tonin Sterkaj, duke thënë se është një ngjarje e rëndë kriminale, cënim i integritetit të shtetit dhe nivelit të sigurisë publike të kryeqendrës së veriut.

Në një deklaratë zyrtare, Dhoma e Avokatisë Shkodër, inkurajon organet ligjzbatuese të zbardhin sa më parë këtë ngjarje dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të autorëve të ngjarjes.

REAGIM I DHOMËS SË AVOKATISË SHKODËR

Marrë shkas nga ngjarja e rëndë kriminale ndodhur në orët e para të mëngjesit të djeshëm, Dhoma e Avokatisë SHKODËR, shpreh solidaritet dhe mbështjetje maksimale për gjyqtarin Tonin Sterkaj dhe familjen e tij.

Kjo ngjarje, është cënim real i integritetit të shtetit dhe nivelit të sigurisë publike në qytetin tonë, e cila përveçse është shqetësuese për çdo qytetar, tregon edhe njëherë vështirësitë e jashtëzakonshme që has çdo zyrtar ne vendin tonë, veçanërisht magjistratët, në kryerjen e detyrës së tyre të shenjtë. Ky veprim, cënon rëndë pavarësinë e gjyqësorit, si një nga elementët thelbësorë të proçesit të rregullt ligjor dhe kërkon një kundërpërgjigje të organeve ligjzbatuese për zbulimin e plotë të saj.

Dhoma e Avokatisë Shkodër, inkurajon fuqimisht organet ligjzbatuese të zbardhin sa më parë këtë ngjarje dhe vendosjen para përgjegjësisë penale të autorëve të ngjarjes.

Duke shpresuar që ngjarje të tilla të zhduken një herë e përgjithmonë nga qyteti jonë, Dhoma e Avokatisë Shkodër NËNVIZON se: Dhuna është mjeti më i gabuar për zgjidhjen e problemeve dhe veçanërisht atyre që kanë të bëjnë me marrjen e sherbimeve të gjyqësorit, pasi Drejtësia nuk mund të kërkohet me Padrejtësi.

DHOMA E AVOKATISË SHKODËR

Si ndodhi ngjarja? 
Një sasi e vogël tritoli u vendos paraditen e 28 prillit në portën e banesës së gjyqtarit të Gjykatës së Shkallës së Parë në Shkodër, Tonin Sterkaj. Në momentin e shpërthimit në banesë ka qenë gjyqtari dhe bashkëshortja e tij. Dëshmia e gjyqtarit Sterkaj nuk ka ndihmuar hetuesit. Ai ka deklaruar se nuk ka pasur ndonjë çështje madhore në shqyrtim dhe se së fundmi nuk ka marrë kërcënime.

Kush është Tonin Sterkaj? 
Tonin Sterkaj ushtron prej shumë vitesh detyrën e gjyqtarit në gjykatën e shkallës së parë në Shkodër ndërsa për një periudhë dy vjeçare ka punuar edhe si gjyqtar në gjykatën e Apelit të Shkodrës. Pas mbylljes së Apelit, Sterkaj u kthye si gjyqtar në Gjykatën e Shkalles se Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.