Aktualitet

Çfarë do ndodhë me Berishën? SPAK pritet të marrë një vendim për ish-kryeministrin!

SPAK pritet të marrë një vendim në lidhje me Sali Berishën, i cili nuk ka zbatuar masën që Gjykata e Posaçme Antikorrupsion ka marrë.

Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, deklaroi se prokurorët e çështjes janë mbledhur për të diskutuar në lidhje procedimin që do të vijojë për ish-kryeministrin.

Ky diskutim do të vijojë edhe ditën e nesërme, por deri më tani nuk janë treguar më tepër detaje, për shkak se prokurorët e çështjes “Partizani” kanë preferuar të heshtin.

“Deri në këto momente SPAK nuk ka marrë ende një vendim se di do të procedojë me Sali Berishën. Prokurorët e çështjes kanë preferuar të heshtin. Ishte planifikuar që prokurorët e dosjes “Partizani” të diskutonin se çfarë vendimi do të merrnin, nëse do të ashpërsonin vendimin kundrejt Berishës, pasi ka refuzuar të zbatojë vendimin paraprak për tu paraqitur të hënën e parë dhe të tretë të muajit. Ka edhe një fazë tjetër, e cila mund t’i drejtohet Këshillit, për të marrë një masë më të ashpër se detyrimi paraqitjes. Ditën e sotme dhe nesër do të mbajnë një takim”, deklaroi gazetarja.

Një ditë më parë ish-kryeministri Sali Berisha nuk e zbatoi sërish masën “detyrim paraqitje” të dhënë nga Gjykata e Posaçme Antikorrupsion.

Kjo ishte hera e tretë që Berisha e thyente këtë masë sigurie. Në raste të ngjashme kur masa e sigurisë thyhet në mënyrë të përsëritur siç ka bërë Berisha aplikohet masë më e ashpër sigurie, që në këtë rast është “arrest në shtëpi”.

Për këtë arsye edhe prokurorët e çështjes “Partizani” do të mblidhen për të marrë një vendim, se si do të veprohet më tej me ish-kryeministrin.

Mbi Berishën rëndojnë masat “detyrim paraqitjeje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”, pasi akuzohet për korrupsion pasiv në çështjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani.

Ish-kryeministri Sali Berisha, i cili po hetohet për privatizimin e ish-Kompleksit Sportiv “Partizani”, nuk e njeh vendimin e GJKKO-së për “detyrim paraqitje” dhe nuk është paraqitur në SPAK, pavarësisht lajmërimeve nga Prokuroria e Posaçme.