Çfarë i bën njerëzit në mbarë botën të lumtur apo të pakënaqur?
Një studim ndërkombëtar i udhëhequr nga studiues nga Oslo, u përpoq t’i përgjigjej kësaj pyetjeje kyçe.
Shumë kërkime psikologjike fokusohen në vështirësitë dhe dhimbjet e shëndetit mendor që përjetojnë njerëzit. Në këtë studim, ne shikuam se çfarë e bën jetën e njerëzve të mirë”, tha Dr. Espen Røysamb, profesor në Departamentin e Psikologjisë, Universiteti i Oslos (UiO).
Të udhëhequr nga dr. Røysamb, një grup studimi përpiloi gjetjet e një sërë studimesh mbi mirëqenien dhe cilësinë e jetës së njerëzve në nivel ndërkombëtar.
“Ka pasur studime të dukshme që janë kryer në të kaluarën, por ato përfshinin vetëm një numër të kufizuar njerëzish nga një vend në të njëjtën kohë. Ne donim të gjenim një përgjigje që mbulonte të gjithë popullsinë e Tokës”, komentoi eksperti.
Studiuesit gjetën tre faktorë që ndikojnë në cilësinë e jetës së të gjithë njerëzve:
Gjenetika: Gjenet që trashëgoni mund të shpjegojnë një pjesë të cilësisë së jetës suaj. Ky faktor përfaqëson 31-32% të cilësisë së jetës, sipas studiuesve.
Mjedisi unik: Një faktor tjetër ka të bëjë me historitë e jetës dhe mjedisin unik, ku çdo person në Tokë banon. Kjo mund të shpjegojë deri në 50% të cilësisë së jetës.
Mjediset e përbashkëta: Faktori i tretë është mjedisi i përbashkët në të cilin jetojnë të gjithë qytetarët e çdo vendi. Kjo mund të shpjegojë rreth 20% të cilësisë së jetës së të gjithë njerëzve.
Në Raportin Botëror të Lumturisë, botuar çdo vit, një ekip ndërkombëtar kërkimor rendit vendet me cilësinë më të lartë të jetës kombëtare. Renditja bazohet në një sondazh në të cilin 1000 njerëzve në secilin prej 157 vendeve pjesëmarrëse u kërkohet të vlerësojnë jetën e tyre në një shkallë nga 1 deri në 10.
“Bazuar në të dhëna si kjo dhe studime në shumë vende, ne kemi llogaritur se çfarë kontribuon në lumturinë e popullsisë së botës”, shpjegoi Dr. Røysamb.
Vendi ku jetoni ndikon në lumturinë tuaj me 20%
Studiuesit besojnë se kanë bërë një zbulim interesant, duke përcaktuar se rreth 20% e lumturisë së njerëzve varet nga vendi në të cilin jeton secili prej nesh. “Ky faktor përfshin çdo gjë që është e njëjtë për njerëzit në një vend të vetëm,” thotë ai. Ekipi i studimit e vlerëson këtë përqindje si të lartë, megjithëse, siç thekson, “nuk është gjithçka”.
Faktorët diferencues përfshijnë nivelin e prosperitetit të një kombi, besimin e publikut, nivelin e korrupsionit dhe nëse vendi është në luftë. Në bazë të këtyre të dhënave, Finlanda dhe Afganistani formojnë dy polet e kësaj shkalle renditjeje. Njerëzit gjithashtu lidhen ndryshe nëpërmjet gjeneve që kanë trashëguar. Për më tepër, të gjithë kanë një rrugë të ndryshme jete, të përbërë nga përvoja të dallueshme, elemente që luajnë gjithashtu një rol në nivelin e gëzimit që ndjejnë. Familja, miqtë dhe vendet e punës janë vendimtare për mirëqenien tonë. Për më tepër, ato bëjnë një ndryshim në jetën dhe nivelin e lumturisë së secilit prej nesh.
“Në këto kohë, kur ka kaq shumë theks te vështirësitë e shëndetit mendor, sfidat klimatike dhe lufta, është jashtëzakonisht e rëndësishme të mendosh për cilësinë e jetës së njerëzve,” thotë Røysamb.
Çfarë e siguron në fund lumturinë tonë?
Në botën moderne, një cilësi e mirë e jetës shpesh tenton të ngatërrohet me mungesën e problemeve. “Sidoqoftë, jeta ka të bëjë më shumë sesa thjesht shmangien e sëmundjeve mendore ose fizike,” thekson Dr. Røysamb. “Ka të bëjë edhe me gjetjen e kuptimit në jetën e përditshme. Hapja e derës për emocione pozitive çdo ditë është ajo që do t’ju vendosë në rrugën e një jete më të mirë.”
Sigurisht, theksojnë ekspertët, për njerëzit që kanë burime të mjaftueshme sociale dhe financiare, është edhe më e lehtë të shijojnë një jetë të lumtur.
Elementi i vetëm që mund të kemi të gjithë për një jetë më të mirë
Një gjë që Dr. Røysamb e konsideron të rëndësishme për lumturinë është një ndjenjë qëllimi. Rezultatet e larta të lumturisë së vendeve nordike tregojnë diçka për mënyrën se si ata kanë arritur të krijojnë shoqëri relativisht të mira. “Ne mund të shohim se si faktorë të tillë si varfëria, lufta dhe korrupsioni ‘vjedhin’ cilësinë e jetës së njerëzve në vendet e tjera. Vendet nordike, në pjesën më të madhe, nuk përballen me këto sfida”, thotë Dr. Røysamb.
Konfliktet në marrëdhëniet personale janë gjithashtu një “hajdut” i madh i lumturisë. Pra, përpiquni të rrethoni veten me marrëdhënie harmonike dhe të largoni njerëzit toksikë nga jeta juaj. Së fundi, eksperti thekson diçka kryesore: Në pjesën më të madhe, njerëzit duket se jetojnë me një prirje të lindur për t’u ndjerë dhe reaguar pozitivisht. Të jesh i lumtur është thjesht pjesë e natyrës njerëzore.