Aktualitet

Covid-19/ Studimi: Një dozë në vit nga vaksina e Covid, krijon mbrojtje për personat e rrezikuar!

Vaksina ndaj Covid do të shndërrohet në vaksinë të përvitshme njëlloj si vaksina ndaj gripit e cila aplikohet çdo fillim sezoni.

Një studim i kryer nga Instituti i Shëndetit Publik me 1500 mjekë të tre spitaleve në vend i cili u mbështet dhe mori vlerësim nga OBSH, konkludoi se një dozë përforcuese krijon mbrojtje të mirë sidomos për grupet e riskut, në mënyrë që të mos bëjnë formë të rëndë, por ta kalojnë lehtë sëmundjen që shkakton virusi i Covid.

“Është vënë re që personat që kanë bërë vaksinën e Covidit dhe kanë bërë dozën përforcuese kanë një sasi të caktuar antitrupash, mund të bien në kontakt me virusin nuk shfaqin shenja klinike por u rriten antitrupat me kalimin e kohës dhe këto antitrupa qëndrojnë më gjatë. Megjithatë kemi vënë re që duhen bërë edhe doza përforcuese sepse në qoftë se kalojnë mbi 6 muaj, antitrupat fillojnë të ulen dhe është e nevojshme të bëjnë një dozë përforcuese, sidomos për personelin mjekësor që është në kontakt me pacientët”, tha ekspertja e ISHP, Rovena Daja.

OBSH rekomandon që vaksina ndaj gripit dhe Covid të bëhen në të njëjtën ditë por në krahë të ndryshëm. Shqipëria ka siguruar 260 mijë doza të vaksinës së gripit për këtë sezon e cila përmban shtamë të dy viruseve që po qarkullojnë në Europë A dhe B.

“Personat që janë mbi 60 vjeç janë të parët që shkojnë të bëjnë këtë vaksinën. Personeli shëndetësor që këtë vit ka pasur një kërkesë të lartë. Gratë shtatzënë të cilat e kanë kuptuar që u jep mbrojtje edhe për fëmijën që do të lindin, punonjësit e rendit dhe arsimtarët që janë persona të cilët kanë kontakt me persona të tjerë”, tha Daja.

Shefja e zyrës së OBSH në Tiranë Geraldin Mc Weeny vlerëson punën e autoriteteve shëndetësore për të vaksinuar ndaj gripit dhe Covid  grupet vunerabël dhe i siguron ata se OBSH do t’i mbështesë në përpjekjet e tyre në mbrojtje të popullatës nga dy sëmundjet infektive.

Top Channel