Aktualitet

Me dëmtime në kokë nga dhuna, avokati Sokol Mëngjesi hyn në intubim!

Eshtë identifikuar njëri prej tre autorëve që rreth orës 09:00 dhunuan me doreza hekuri e leva 34-vjeçarin Mëngjesi pasi kishte lënë fëmijën në kopësht, në zonën e ish-Bllokut në kryeqytet. Avokati e njëherazi pedagogu Sokol Mëngjesi po trajtohet në Spitalin e Traumës pasi ka dy fraktura në kokë e mësohet se për shkak të përkeqësimit të gjendjes shëndetësore ka hyrë në intubim.

Ndërkaq, ministri i Brendshëm, Taulant Balla iu përgjigj akuzave të Rithemelimit që bëri përgjegjës kryeministrin Rama.

Lexoj që zotëria i penxheres së drejtësisë ka lëshuar zëdhënësat e gënjeshtrave të tij për të sulmuar kryeministrin si urdhëruesin e një sulmi kriminal ndaj njërit prej avokatëve të tij, zotit Sokol Mëngjesi. Ngjarja e ndodhur në mëngjes është në ndjekje nga Policia e Shtetit, e cila tanimë ka identifikuar njërin prej të tre autorëve dhe po punon për identifikimin e dy të tjerëve. Kam komunikuar edhe personalisht me kolegët e avokatit sapo kam marrë dijeni dhe i falenderoj për disponimin qytetar në funksion të sqarimit të ngjarjes. Kam komunikuar edhe me mjekun që po kujdeset për shëndetin e avokatit. Duke i uruar shërim të shpejtë zotit Sokol Mëngjesi, shpreh keqardhjen që nga kati i 8 hidhet edhe në këtë rast një kazan me helm për publikun, me qëllim vetëviktimizimin politik të një të korruptuari madhor.

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë reagoi duke shprehur shqetësim të madh në lidhje me dhunën e ushtruar sot në Tiranë ndaj anëtarit të saj, Sokol Mëngjesit, njëherazi avokat i ish-kryeministrit Sali Berisha, duke theksuar se “ky nuk është rast i izoluar”.

Teksa nënvizon se kërcënimet ndaj avokatëve duhet të vlerësohen maksimalisht nga autoritetet zyrtare, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë iu kërkon të kryejnë një “hetim të plotë e të pavarur brenda një kohe sa më të shkurtër lidhur me këtë ngjarje të rëndë”.

Në vijim, deklarata e plotë e Dhomës së Avokatisë:

Dhoma e Avokatisë së Shqipërisë shpreh shqetësimin e thellë lidhur me dhunën e rëndë fizike të ushtruar mëngjesin e ditës së sotme ndaj avokatit Sokol Mëngjesi, anëtar i Dhomës së Avokatisë së Tiranës. Avokati është goditur disa herë në kokë me levë dhe për shkak të plagëve të marra është shtruar në spital.

Ky nuk është rast i izoluar i ushtrimit të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj avokatëve në Shqipëri, duke rikujtuar aktin e fundit të paprecedentë të dhunës fizike dhe psikologjike ndaj një avokati në Dhomën e Avokatisë Lezhë në muajin prill të këtij viti.

Kërcënimi i avokatëve, sidomos për shkaqe që lidhen me ushtrimin e detyrës jo vetëm cenojnë rëndë misionin e avokatit në ushtrim të profesionit të tij, por krijojnë situata të vështira që duhen të vlerësohen maksimalisht.

Bazuar sa më sipër, Dhoma e Avokatëve të Shqipërisë i kërkon autoriteteve zyrtare të kryejnë një hetim të plotë dhe të pavarur brenda një kohe sa më të shkurtër lidhur me këtë ngjarje të rëndë.

Njëkohësisht garantojmë të gjithë avokatët në Republikën e Shqipërisë se Dhoma e Avokatisë e Shqipërisë do të jetë në krah të çdo avokati ndaj të cilit ushtrohet dhunë e çfarëdo lloji nga kushdo qoftë, pavarësisht se nga kush dirigjohet dhuna.

Shprehemi besimplotë se reagimi ynë do të shërbejë si kambanë alarmi për organet ligjzbatuese jo vetëm për këtë rast por edhe për raste te tjera që cenojnë sigurinë e jetës së avokatëve dhe të familjeve të tyre.