Food & Drink Health & Beauty Lifestyle

Dietë me bazë bimore për të mbajtur larg sëmundjet e zemrës?! Studimi i fundit e hedh poshtë këtë!

Ndjekja e një diete me bazë bimore është këshilluar si një nga mënyrat më të shëndetshme për të mbajtur larg sëmundjet e zemrës dhe shqetësime të tjera. Por një studim i ri, i ka hedhur poshtë të gjitha këto përfundime, pasi sipas analizimit të dietave te rreth 400 mijë të rritur në Mbretërinë e Bashkuar, ngrënia e perimeve të gatuara, nuk e zvogëlon rrezikun nga sëmundjet e zemrës.

Gjetjet e këtij studimi kontradiktor, janë publikuar në revistën “Frontiers in Nutrition”, ndërsa e vënë theksin te fakti, se shtimi i perimeve të gatuara në dietë, nuk ka efekt mbrojtës, sidomos në sëmundjet e zemrës. Feng, epidemiolog në Departamentin e Shëndetit të Popullsisë, në Universitetin e Oksfordit tha se:

Studimi ynë nuk gjeti prova për një efekt mbrojtës në shfaqjen e sëmundjeve kardiovaskulare, nga ndryshimi i dietës ushqimore.

Ndërsa studimi zbuloi se ngrënia e perimeve të pagatuara mund të mbrojë kundër sëmundjeve të zemrës, perimet e gatuara, nuk e kanë këtë efekt në organizëm. Kjo pasi, përfitimet që mund të sillte ngrënia e perimeve, zhbëheshin nga disa faktorë të ndryshëm si stili i jetesës, aktiviteti fizik, pirja e duhanit, konsumimi i alkoolit, ngrënia e frutave etj.

Ekspertë të ndryshëm në Mbretërinë e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përjashtuar veten nga ky studim. Victoria Taylor, dietologe në Fondacionin Britanik të Zemrës, në një deklaratë tha se:

Megjithëse, ky studim zbuloi se ngrënia e më shumë perimeve nuk e ulte rrezikun e sëmundjeve të zemrës dhe të qarkullimit të gjakut, pasi në analizë futej edhe mënyra e jetesës dhe faktorë të tjerë, kjo nuk do të thotë që ne duhet të ndalojmë së ngrëni perime.

Naveed Sattar, profesor i mjekësisë kardiovaskulare në Universitetin e Glasgow në Skoci tha:

Ka prova të forta që ngrënia e ushqimeve të pasura me fibra, si perimet, mund të ndihmojë në uljen e peshës dhe përmirësimin e niveleve të faktorëve të rrezikut të njohur që shkaktojnë sëmundjet e zemrës. Ky studim nuk mund t’i hedhë poshtë këto prova dhe përfundimet e tij duhen vënë në diskutim.

Studimi, ndoqi metodën e vëzhgimit të zgjatur në kohë, përkatësisht 10 vjet. Rreth 400 mijë të rritur u pyetën në fillim të studimit se sa perime të gjalla dhe të gatuara hanin në përditshmërinë e tyre dhe më pas u vëzhguan për më shumë se 10 vjet, sesi do të ishte ecuria e organizmit të tyre dhe raporti me sëmundjet e zemrës. Mesatarisht, ata raportuan se hanin 5 lugë gjelle perime çdo ditë, pra vetëm 71 gramë perime në total. Andrew Freeman, nga Kolegji Amerikan i Kardiologjisë tha:

Kjo është një sasi shumë e vogël, ndoshta edhe arsyeja pse studimi ka pasur ato rezultate.

Udhëzimet dietike në Mbretërinë e Bashkuar kërkojnë të paktën pesë porcione frutash dhe perimesh në ditë, me çdo porcion rreth 80 gram në mënyrë që mbrojtja ndaj sëmundjeve të jetë efektive.