Aktualitet

EKSKLUZIVE TCH/ Arben Ahmetajt i hiqet pasaporta diplomatike!

Qeveria ka ndërmarrë një tjetër hap për të distancuar dhe zhveshur nga çdo privilegj ish-zëvendës kryeministrin në arrati, Arben Ahmetaj. Gazetari i Top Channel, Muhamed Veliu, ka parë një shkresë të Ministrisë të Punëve të Jashtme që mban datën 30 Janar 2024. Drejtoria e Çështjeve Konsullore në Ministrinë e Punëve të Jashtme, i drejtoi një kërkesë të gjitha misioneve diplomatike dhe konsullatave shqiptare në botë.

Njoftohen për shpalljen të pavlefshme dhe jashtë qarkullimit të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt, e cila kishte vlefshmëri deri në vitin 2033.

Ministria e Punëve të Jashtme e bazon nxjerrjen të pavlefshme të pasaportës diplomatike të Arben Ahmetajt në vendim e qeverisë të 2019-ës për “Kriteret për lëshimin e pasaportës diplomatike dhe atyre të shërbimit”.

Kjo lëvizje e qeverisë vjen vetëm dy javë pasi Arben Ahmetajt si deputet i PS-së u zëvendësua nga Plarent Ndrecaj. Ish-numri dy i qeverisë shqiptare është vënë nën akuzë nga SPAK-u si i dyshuar për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

Në korrik të vitit të shkuar, Kuvendi i Shqipërisë i dha SPAK-ut miratimin për arrestimin e Ahmetajt, por për t’i shpëtuar përballjes me arrestimin, ai zgjodhi të largohej nga Shqipëria.

Në fund të vitit të shkuar, gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët kreu i SPAK-ut, Altin Dumani u pyet për personin nën hetim, Arben Ahmetaj nga ku deklaroi:

Për ne Arben Ahmetaj është një person që kërkohet ndërkombëtarisht. Nuk mund të them asgjë mbi informacionet që kërkoni për vendndodhjen, nuk e ndajmë dot këtu. Ai në raport me SPAK-un është në kërkim. Është një çështje që po hetohet përditë. /Top Channel