Design Gossip Showbiz

Ekspozohen në Muze bizhuteritë e shtrenjta të artistëve të zhanrit Hip Hop!

Në Nju Jork është hapur një muze e veçantë pikërisht në prag të 50-vjetorit të rrymës muzikore hip-hop. Quhet “historia e bizhuterive të hip hop” dhe atje gjenden aksesorë të shtrenjtë të artistëve me famë si Shante, Asap Rocky apo Niki Minaj.

Kurora e Slick Rick dhe mbulesa e syrit, varësja e A$AP Rocky dhe varësja Barbie e Nicki Minaj janë vetëm disa nga bizhuteritë hip-hop që vizitorët në Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore në Nju Jork do të mund të shohin. Reperja e njohur Shante ka vizituar këtë muze duke u shprehur se dëshiron gjithçka aty. Vetë artistja legjendare e hip hopit amerikan ka një unazë që shfaqet në këtë ekspozitë.

“Kjo është një pjesë e pabesueshme e historisë për mua dhe më pëlqen”-është shprehur ajo. Kuratorja dhe ideatorja e ekspozitës që mban emrin “Ice Cold: historia e bizhuterive të Hip Hop”, Vikki Tobak, thotë se mbledhja e sendeve të çmuara ishte sfidë. Ajo rrëfen se gjithçka varej nga marrëdhënia me të gjithë artistët, pasi disa nga bizhuteritë ata i mbajnë ende për të performuar.

“Shumë nga bizhuteritë janë vërtet të rralla dhe nuk janë parë kurrë më parë në një muze”-thotë Vikki.
Për Muzeun Amerikan të Historisë Natyrore, nuk ishte i pari që priti një ekspozitë bizhuterish, por i pari që shfaqi ato të hip-hop.

Drejtori i këtij muzeu Shon Dekatur, thotë se nuk bëhet fjalë vetëm për ekspozimin e veprave shumë të bukura të bizhuterive që kanë gurë të çmuar të mrekullueshëm. Ai shton se ekspozita është rregulluar në mënyrë të tillë që të tregojë historinë e hip hopit, pikërisht në prag të 50-vjetorit të kësaj rryme muzikore.