Aktualitet

Ekstradohet nga Italia 54-vjeçari i dënuar për një vrasje në Lezhë!

Hyri dhe qëndroi ilegalisht në Itali, me dokumente false, ndërkohë që kërkohej nga autoritetet në Shqipëri, për vrasje të trefishtë në vitin 1993, në Torovicë, ekstradohet 54-vjeçari. Lokalizimi i këtij shtetasi u krye si rezultat i informacionit të siguruar nga Policia e Shtetit, për vendndodhjen e tij, dhe shkëmbimit të këtij informacioni ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Romës.

Si rezultat i punës intensive të Policisë së Shtetit, për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, koordinimit të vazhdueshëm ndërmjet zyrave homologe të Interpolit, në Tiranë dhe në Romë, si dhe i verifikimeve të kryera në bashkëpunim me Policinë e Lezhës, u krye ekstradimi nga Milano, i shtetasit Bardh Lula alias Bardhyl Luli, 54 vjeç.

Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë e ka dënuar këtë shtetas me 25 vjet burgim, pasi më datë 12.06.1993, në vendin e quajtur “Kroi i Denicës”, Torovicë, ka vrarë 3 shtetas.

Nga verifikimet e mëtejshme të kryera nga Policia e Shtetit dhe Policia italiane, rezultoi se shtetasi Bardh Lula alias Bardhyl Luli, që në vitin 1993, kishte hyrë dhe qëndronte në Itali, me dokumente false.

54-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.

Në një tjetër zhvillim, dy shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Belgjikë, për llogari të shtetit shqiptar.

Sipas policisë, në kuadër të operacionit “Surnames” u arrestua në Emiratet e Bashkuara Arabe, shtetasi Hajdar Bako, i njohur si Hajdar Copja dhe Hajdar Hysa, 40 vjeç, i lindur në Elbasan, pasi është i dënuar me 4 vjet burgim, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”.

Në vitin 2017, në fshatin Katund i Ri ky shtetas së bashku me 4 të tjerë, është implikuar në një konflikt, gjatë të cilit është qëlluar me armë zjarri dhe janë plagosur 3 shtetas.

Ndërsa në kuadër të operacionit “Area” u arrestua në Belgjikë shtetasi A. G., 39 vjeç, pasi Gjykata e Fierit, më datë 15 tetor 2022, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.

Më datë 15 korrik 2021, gjatë kontrollit në tokën në pronësi të 39-vjeçarit, në zonën Grizë Lenginas, Fier, u gjetën të mbjella bimë narkotike kanabis sativa.

Arrestimi i tyre u krye si rezultat i sigurimit të informacionit nga strukturat e Policisë së Shtetit, për vendndodhjen e 2 shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Policia bën të ditur se vijojnë procedurat për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri.