Aktualitet

Ekzekutimi i 41-vjeçarit në Fier, policia vijon kërkimet për autorin!

Policia vazhdon hetimet lidhur me vrasjen e ndodhur sot në Fier dhe që i mori jetën 41-vjeçarit Elton Javori, i ekzekutuar me armë zjarri rreth orës 11:00, në lagjen “16 Prilli” të qytetit jugor. Si autor të dyshuar, uniformat blu identifikuan 35-vjeçarin Agim Gashi. Mësohet se mes tij e viktimës ka patur një sherr para dy javësh. Ndërkaq, Javori ishte emigrant në Gjermani.

Janë ngritur pika kontrolli në çdo aks rrugor, ndërsa grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes së rëndë.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ishte në një konferencë për shtyp për rezultatet e një operacioni kombëtar kundër lojërave të paligjshme të fatit kur theksoi se “brenda një kohe të shkurtër, autori i dyshuar i krimit do të vendoset para drejtësisë”.

Po kemi marrë njoftim në lidhje me ngjarjen e ndodhur në qytetin e Fierit. Kemi identifikuar autorin dhe po punojnë për sqarimin e rrethanave dhe kapjen e tij. Ju sigurojmë që Policia e Shtetit brenda një kohe të shkurtër do të vendosë para drejtësisë autorin e krimit.

Njëri prej banorëve të zonës ku ndodhi vrasja tha se “viktima është një djalë i edukuar dhe jeton me familjen”.

I edukuar, djalë i sjellshëm, familje të mrekullueshme, nga erdhi kjo Zoti e di, nuk dëgjova krisma, unë sa dola nga shtëpia dhe shkova në kafe, ka babanë nënën, vëllezërit në Gjermani, djalë i mrekullueshëm.