Aktualitet

Erdogan do mbajë fjalim ‘virtualisht’ për samitin që do mbahet në Tiranë për Ukrainën! Rama: Folëm edhe për dialogun Kosovë-Serbi!

Presidenti i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan do të mbajë fjalën e tij nëpërmjet një lidhje direkte për samitin që do të mbahet në 28 shkurt në Tiranë për Ukrainën.

Teksa theksoi se kishte biseduar me Erdogan edhe për zhvillimet në rajon të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë konferencës për mediat, kryeministri Edi Rama zbuloi se presidenti turke e kishte të pamundur të ishte i pranishëm fizikisht në samit.

“Si gjithmonë e kam gjetur presidentin të interesuar me gjithë zemër për ecurinë e rajonit tonë, ecurinë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe për dëshirën e tij që progresi e paqja në rajon të jenë çdo ditë e më të forta. Kemi ndarë edhe opinionet për konfliktin në Ukrainë, e kam informuar që në ditët e ardhshme në Tiranë së bashku me Zelenskyn do të zhvillojmë një samit ku edhe Turqia është e ftuar dhe jam mirënjohës që presidenti ka pranuar të adresojë samitin përmes një lidhje direkte nga zyra e tij duke qenë se e ka të pamundur të jetë fizikisht.”- u shpreh Rama.

Kryeministri Edi Rama gjatë konferencës me presidentin turk, Rexhep Taip Erdogan teksa foli për rritjen me 30% të numrit të vizitorëve turq në Shqipëri, me batutë i kërkoi kreut të qeverisë turke që të mos mërzitej për një fakt të tillë.

“Jam i kënaqur zoti President që vitin e shkuar përveçse Shqipëria arriti numrin rekord mbi 10 milionë turistë, numri i turistëve nga Turqia u rrit me 30%. Unë jam i bindur se nuk mërziteni kur turistët turq vijnë në Shqipëri dhe nuk shkojnë në Antalia dhe jam i bindur se ministri juaj do të nxisë investimet në fushën e turizmit.”- u shpreh kryeministri.

Ndërsa sa i takon investimeve turke në vendin tonë, Rama tha se potenciali është për shumë më tepër se ato aktualet.

“Patjetër që për ne investimet turke janë të mirëseardhura, kemi arritur në shifrën e 3.7 miliardë eurove, por potenciali është shumë më tepër”-shtoi Rama.

Kryeministri Edi Rama dhe presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan ndajnë të njëjtën pikëpamje për krijimin e 2 shteteve si një prej zgjidhjes së konfliktit në Rripin e Gazës.

Në konferencën për mediat, Rama tha se kishte ndarë me presidentin turk idenë e tij për zgjidhjen e konfliktit që ka marrë me mijëra jetë njerëzish, duke theksuar domosdoshmërinë e një garancie nga 5 shtetet e Lindjes së Mesme dhe Turqia.

“Nuk diskutohet dhimbja dhe shqetësimi për atë që po ndodh në Gaza,. Ne jemi të bindur se është koha për një armëpushim që duhet lidhur me lirimin e pengjeve dhe patjetër duhet garantuar nga një forcë e përbashkët e 5 vendeve të Lindjes së Mesme dhe Turqisë. Unë e kam ndarë edhe me presidentin, Turqia është një aktor i pazëvendësueshëm në garantimin e të nesërmes për Gazën dhe Izraelin, së bashku me 5 vendet e tjera. Natyrisht nëse ne e ndajmë të njëjtën pikëpamje për domosdoshmërinë e 2 shteteve, kjo zgjidhje kërkon garancitë e veta dhe një bashkim forcash i vendeve arabe me Turqinë në kushtet kur nevoja për garanci dhe rikrijimin e një besimi pas masakrës së ndodhur ndaj njerëzve të pafajshëm është kaq e madhe saqë pa të do jetë e pamundur të ketë çfarëdolloj kthimi tek arsyeja”- u shpreh Rama.