Aktualitet

Erion Veliaj në Lagjen 13 të Tiranës: Investojme te Kopshti Botanik mandatin tjetër!

Kryebashkiaku Erion Veliaj, i cili synon një tjetër mandat më 14 Maj zhvilloi një takim me banorë të lagjes nr.13 në zonën e Liqenit të Thatë në Tiranë. Veliaj vuri në dukje se ndërsa deri pak kohë më parë, qytetarët i merrnin shërbimet në Farkë, sot çdo shërbim jepet në Njësinë Administrative.

Kjo zonë nuk ka qenë fare si Njësi Administrative, por “apendicit” i Farkës. Për të shkuar në Farkë, harxhoje kohë për certifikatën, për një dokument, për të transferuar gjendjen civile dhe praktikisht, xhepi ishte bërë më i madh se kostumi. Bishti fundor ku Farka takohet me Selitën ishte bërë më i madh se gjithë ish-komuna Farkë. Gjëja e parë që bëmë e shpallëm Njësi Administrative, lagje më vete, që shërbimet të jepen aty, të gjitha dokumentet të merren aty.

Veliaj theksoi se kjo është zona ku është rritur më shumë se kudo vlera e pronës:

Sot prona vlen më shumë. Sot ambientet vlejnë më shumë, sot liqeni vlen më shumë, sot hapësira është më e pastër, çka do të thotë se kur njerëzit duan dhe kur njerëzit dinë, njerëzit munden. Ne deshëm, ne dimë dhe ne mundëm ta kthejmë këtë nga një zonë që kishte degraduar totalisht, në një njësi administrative që sot është bërë model për të 27 njësitë e Tiranës.

Veliaj veçoi dy prej projekteve më të rëndësishëm: Kopshtin Zoologjik dhe atë Botanik, që do të nisë së shpejti.

Kemi kapur shifrën e 80 mijë vizitorëve unikë në Kopshtin Zoologjik modern të Tiranës. Kemi liruar të gjitha hapësirat që ishin zënë nga lokalet. Kemi marrë gjithë territorin që dikush tjetër kishte zënë në pjesën fundore. Dikush mund të pyesë, po Kopshti Botanik? Ne sot jemi në Gjykatë të Apelit. Për të gjithë ata qytetarë që pyesin duhet të shpjegoj këtë. Prona është e Bashkisë, na ka hedhur Fakulteti në gjyq. Unë e kuptoj, me gishta përpjetë ose me një nga gishtat, por ne s’kemi më kohë për të humbur. Ne do ta fitojmë atë gjyq, sepse është tokë e Bashkisë.

Erion Veliaj kishte edhe një zotim për mandatin e tretë:

Nëse më pyesni çfarë do të bëj ndryshe mandatin tjetër, unë nuk do të pres më me vite e me muaj sa të binden të gjithë, sepse kam kuptuar se çdo gjë ka një limit. Mandatet janë me limit, jeta është me limit, ashtu siç na mësoi tërmeti dhe pandemia, që kaq është jeta.

Mandatin tjetër fillojmë menjëherë investimet te Kopshti Botanik. Do të vazhdojmë pa asnjë vonesë hapjen e Tregut Agroushqimor. Duam të vazhdojë Unaza e Madhe.